zoom

Aktualitet

Dosja “AKSHI”/ Si u përdorën biskotat dhe çokollatat për të pastruar miliona euro në Shqipëri

Dosja “AKSHI”/ Si u përdorën biskotat dhe çokollatat për të pastruar miliona euro në Shqipëri

Hetimet e thelluara të SPAK në çështjen që lidhet me AKSHI-n kanë nxjerrë në pah edhe një tjetër pistë të dyshuar të pastrimit të parave, e realizuar përmes transaksioneve financiare të mbuluara me fatura për produkte ushqimore.

Sipas të dhënave të administruara nga organi i akuzës, gjatë viteve 2018, 2020 dhe 2021 është regjistruar një qarkullim financiar prej rreth 10 milionë eurosh, i transferuar drejt një subjekti që operon në fushën e shpërndarjes së çokollatave dhe biskotave. Këto lëvizje monetare dyshohet se janë përdorur për të kamufluar burimin real të fondeve.

Në fokus të hetimit ndodhet edhe biznesmeni Rogers Rryta, i cili së bashku me babain e tij zotëron shoqërinë “Mega Distribution”. Kjo kompani ushtron aktivitet në import-eksport të produkteve ushqimore dhe veshjeve, ndërsa sipas deklarimeve zyrtare nuk ka asnjë lidhje me sektorin e teknologjisë apo shërbimeve IT.

Gjatë marrjes në pyetje nga Byroja Kombëtare e Hetimit, Rryta ka deklaruar se kompania e tij ka përfaqësinë e markës “Ülker” dhe se shitjet lidhen ekskluzivisht me produkte ushqimore. Ai ka theksuar se nuk ka ushtruar asnjë aktivitet jashtë këtij profili tregtar.

Biznesmeni ka pranuar se ka pasur marrëdhënie tregtare me shoqëritë “Fastech” dhe “Soft & Solution”, por ka pohuar se nuk mban mend rrethanat e nisjes së këtyre bashkëpunimeve. Po ashtu, ai ka deklaruar se nuk ka pasur kontrata të formalizuara dhe se nuk i kujtohen detaje mbi produktet e shitura, transportin apo magazinimin e tyre.

Lidhur me kreditimet e vazhdueshme në llogaritë bankare të shoqërisë së tij, në valuta të ndryshme, Rryta ka sqaruar se bëhet fjalë për pagesa të rregullta kundrejt faturave të shitjes së çokollatave dhe biskotave, të cilat sipas tij janë përdorur për vazhdimin normal të aktivitetit tregtar.

Ai ka mohuar çdo njohje apo lidhje me persona të tjerë të përfshirë në hetim, përfshirë emra që SPAK i konsideron kyç në dosjen e AKSHI-t.

SPAK vijon hetimet për të verifikuar nëse këto transaksione dhe marrëdhënie tregtare janë përdorur si mekanizëm për fshehjen e burimit të parave dhe për pastrim të tyre përmes faturimeve fiktive./ Zoom.al

Postime të lidhura