Aplikacion
Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë sekuestruar një pajisje përgjimi audio-video në zyrën e biznesmenit Ergys Agasi, e cila ndodhej në zonën e ish-Bllokut. Pajisja regjistronte me zë dhe figurë të gjithë personat që hynin dhe dilnin nga ambientet e zyrës.
Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), nga kjo pajisje janë nxjerrë materiale të shumta komprometuese, të cilat tashmë përbëjnë prova kyçe në hetimin ndaj Agasit. Dyshohet se pajisja ishte vendosur nga vetë ai, me qëllim regjistrimin e bisedave me zyrtarë të lartë të administratës shtetërore dhe të Policisë së Shtetit.
Përveç pajisjes së përgjimit, SPAK ka sekuestruar edhe një laptop si dhe rreth shtatë telefona celularë në zyrën dhe banesën e Agasit. Këto prova kanë çuar në ngritjen e akuzave të rënda ndaj Ergys Agasit, biznesmenit Ermal Beqiri, drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si dhe zyrtarëve të tjerë.
Nga materialet e sekuestruara ka dalë edhe një takim mes Mirlinda Karçanajt dhe Ergys Agasit. Po ashtu, në pamjet dhe regjistrimet rezultojnë takime të Agasit me ministra, deputetë, drejtues dhe punonjës të administratës shtetërore, zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe Drejtorive Vendore të Policisë, biznesmenë, si dhe persona të botës së krimit.
Për shkak të volumit të madh të materialeve komprometuese, SPAK ka vendosur të ndajë dosjen nr. 20, që lidhet me kontrabandën e cigareve, në disa fraksione hetimore: 20/1, 20/2 dhe 20/3. Hetimi fokusohet në bisedat, takimet dhe përfitimet që Agasi dyshohet se ka siguruar nga administrata shtetërore.
Në këto dosje janë vënë në fokus punonjës policie, biznesmenë të call center-ave dhe basteve sportive, si dhe zyrtarë të tjerë publikë. Ndërkohë, edhe dosja e AKSHI-t ndaj Ergys Agasit, Mirlinda Karçanajt, zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni dhe biznesmenit Ermal Beqiri ka origjinën nga hetimet për kontrabandën e cigareve nga Shqipëria drejt Greqisë, Turqisë dhe Qipros./ Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari