zoom

Aktualitet

“Duhet me u tërheq AKSHI”, mesazhet që Gerond Meçe i dërgoi punonjësit të tij pasi u mor peng nga grupi i Ergys Agasit

“Duhet me u tërheq AKSHI”, mesazhet që Gerond Meçe i dërgoi punonjësit të tij pasi u mor peng nga grupi i Ergys Agasit

Kronologjia rrëmbimit, presionit dhe tërheqjes së detyruar të Gerond Meçes nga ankimi i tenderave publikë të AKSHI pas pengmarrjes nga grupi i Egys Agasit, sipas të dhënave të dosjes së SPAK. 

Nga Zoom.al

Një fjali e shkurtër, e shkruar në ËhatsApp në orën 13:33, përmbledh një nga episodet më të rënda të ndërhyrjes kriminale në proceset e prokurimit publik në Shqipëri: “Duhet me u tërhek AKSHI.”

Pas kësaj fraze nuk qëndron një vendim biznesi, por një zinxhir ngjarjesh që përfshin rrëmbim, kanosje me armë, presion të drejtpërdrejtë dhe tërheqje të detyruar nga ankime për tendera shtetërorë, të dokumentuara tashmë në materialet hetimore të SPAK për mega-aferën e tenderave të AKSHI.

Shoqëria ABS sh.p.k., ku Gerond Meçe rezulton ortak, ishte pjesëmarrëse dhe ankimuese në disa procedura tenderimi të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe të shqyrtuara pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).

Bëhet fjalë për procedura që lidhen me sisteme shtetërore kritike, përfshirë: sisteme doganore, sistemin financiar të Policisë së Shtetit, sistemin e Thesarit, ICMS – sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore, ESB – Enterprise Service Bus dhe Platforma dhe sisteme të integruara në e-Albania

Zoom.al sjell më poshtë kronologjinë e plotë të ngjarjes, bazuar në procesverbale, akte kontrolli, komunikime dhe prova digjitale të sekuestruara nga SPAK në disa pajisje të sekuestruara në zyrën e Ergys Agasit, përmes të cilave ai ka regjistruar çdo person që ka hyrë në zyrën e tij dhe çdo komunikim të zhvilluar mes tyre. 

1.Rrrëmbimi i Gerond Meçes

Pamjet filmike të administruara nga hetimi dokumentojnë në mënyrë të detajuar momentin e pengmarrjes së Gerond Meçes, të ndodhur më 8 dhjetor 2025 rreth orës 10:41. Në video shihet një automjet tip Land Rover Defender, me targa AC121JJ, që afrohet drejt viktimës me drita sinjalizuese urgjence, të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit. Nga mjeti zbresin katër persona, të veshur me jelekë me mbishkrimet “POLICIA”, “BKH”, disa prej tyre me maska dhe kapele, duke krijuar perceptimin e një operacioni zyrtar policor. Njëri prej personave hap derën e pasme të automjetit dhe Gerond Meçe futet në makinë nga krahu i pasagjerit, moment që konsiderohet nga hetimi si akti faktik i pengmarrjes. Pamjet tregojnë se Meçe nuk largohet me mjetin e tij, por merret me forcë nga automjeti tjetër. Pas disa sekondash koordinimi, automjeti largohet nga vendngjarja duke e marrë Meçen me vete. Hetimi vlerëson se përdorimi i simboleve policore dhe dritave sinjalizuese ka pasur për qëllim neutralizimin e reagimit të viktimës dhe të kalimtarëve, si dhe realizimin e një pengmarrjeje të shpejtë dhe të padallueshme në publik.

Sipas materialeve hetimore, Gerond Meçe është marrë peng, kanosur dhe kërcënuar me armë zjarri nga grupi i Ergys Agasit. Qëllimi i këtij akti kriminal ishte i qartë dhe i drejtpërdrejtë, që Meçe të hiqte dorë nga ankimit e bërë nga kompania ABS sh.p.k. në AKSHI dhe KPP. Hetimi konstaton se pas këtij episodi, Meçe është vendosur nën presion të vazhdueshëm psikologjik, duke u detyruar të veprojë në kundërshtim me interesin e kompanisë dhe logjikën ekonomike.

2. Komunikimet ËhatsApp pas rrëmbimit

Në vijim të ngjarjes, gjatë këqyrjes së telefonit të administratorit të ABS sh.p.k., Shkëlqim Kërlluku, hetuesit konstatuan komunikime në aplikacionin WhatsApp, me kontaktin e regjistruar si “Geri Abs”. Sipas hetimit, këto komunikime janë kryer pas rrëmbimit të Gerond Meçes dhe reflektojnë qartë situatën e detyrimit dhe frikës.

Në orën 13:33, evidentohet një mesazh vendimtar, me përmbajtjen:

“Duhet me u tërhek AKSHI

Hyrje dalje i EVP

Infrastrukturat doganat

Menaxhimi proceseve

Shiko kadastra vreshtit

Licenca AZH

Duhet edhe një letër, ku tërhiqemi nga të gjitha për mungesë kapacitetesh po në AKSHI”

Pas këtij komunikimi, administratori i shoqërisë ka ndërmarrë veprime konkrete në platformën e-Albania, duke u tërhequr ankime të bëra nga ABS sh.p.k. dhe duke tërhequr ankime edhe në procedura ku subjekti ishte pjesëmarrës, jo vetëm ankimues. 

Hetimi i SPAK vëren se këto veprime nuk përputhen me interesin ekonomik të kompanis, nuk shpjegohen me arsye teknike apo financiare dhe përforcojnë dyshimin se janë kryer nën detyrim dhe presion kriminal

Në datën 12.08.2025, nga i njëjti përdorues dërgohet një foto që përmban një tabelë me 7 procedura konkrete, përfshirë:

            1.         Portali Qendror Online për Muzetë dhe Trashëgiminë Kulturore

            2.         Lot 6 – Kompjutera

            3.         Sistemi i Ndihmës Ekonomike dhe Shërbimit Social

            4.         Sistemi financiar i Policisë së Shtetit

            5.         Sistemi i Thesarit

            6.         ESB – Enterprise Service Bus

            7.         ICMS – Sistemi i Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore

Statuset e tyre shënohen si:

  • “Proces Shqyrtimi”
  • “Refuzuar – Ankim Gjykate”

Sipas hetimit, kjo tabelë shërben për orientimin e tërheqjeve. 

3. Dyshimi për rrjedhje informacioni nga institucione publike

Një element veçanërisht i rëndë në materialet hetimore është dyshimi se informacionet e detajuara mbi statuset e procedurave mund të jenë siguruar nga persona brenda AKSHI ose KPP. Kjo për shkak se bëhet fjalë për të dhëna operative, jo gjithmonë të aksesueshme publikisht në kohë reale dhe të përdorura për presion dhe koordinim të veprimeve

Nga analiza e plotë e materialeve rezulton se Gerond Meçe është detyrur me dhunë të tërhiqet nga ankime publike, proceset e prokurimit janë ndikuar nga presion kriminal, janë përdorur justifikime fiktive për të maskuar tërheqjet dhe se ekziston dyshim serioz për ndërhyrje të paligjshme në tendera shtetërorë.

Zoom.al do të vijojë publikimin e materialeve dhe dokumenteve që hedhin dritë mbi këtë çështje.

Postime të lidhura