zoom

Lajme

Larg tavolinës së festës me Trupin Diplomatik, çfarë po e ndan Ramën nga ambasadorët e SHBA dhe BE?

Larg tavolinës së festës me Trupin Diplomatik, çfarë po e ndan Ramën nga ambasadorët e SHBA dhe BE?

Nga takimi i fundvitit me trupin diplomatik të akredituar në Tiranë, Edi Rama zgjodhi të publikojë vetëm një video-reel ceremonial: ai dhe bashkëshortja në qendër, mikpritës të qeshur, atmosferë festive. Por politika e vërtetë, si gjithmonë, nuk qëndron te buzëqeshjet. 

Ajo që ra në sy nuk ishte ajo që u pa në postimin e Ramës, por ajo që mungoi. Kryeministri i mbajti larg tavolinës së tij dy diplomatët më të rëndësishëm në vend, Nancy VanHorn e ngarkuara me punë e SHBA-së dhe Silvio Gonzato ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, siç shihet në foton më poshtë.

Ishte ndryshe nga një vit më parë, siç tregon kjo foto e të njëjtit aktivitet në dhjetorin e 2024.

Në diplomaci, distanca fizike është gjuhë politike. Dhe kur një kryeministër zgjedh të mbajë distancë, mesazhi është i qartë dhe i qëllimshëm.

Déjà-vu: rasti Yuri Kim

Ky nuk është rasti i parë. Kujtesa kthen pas te momentet kur Rama mbante larg ambasadoren amerikane Yuri Kim. Atëherë, në Tiranë qarkulloi gjerësisht bindja se Kim kishte ndërhyrë fort që në krye të SPAK të mos zgjidhej një kandidat i preferuar nga qeveria. Rama nuk reagoi me deklarata. Reagoi me distancë në publik.

Çfarë e ndan sot Ramën nga SHBA dhe BE?

Përplasja aktuale vjen në kontekstin e zhvillimeve të fundit, me dy mega-skandale që kanë përfshirë qeverinë Rama, dosja Balluku dhe dosja AKSHI.

Ajo duket se rrotullohet rreth dy dosjeve që për Perëndimin janë vija të kuqe, siguria kombëtare dhe sundimi i ligjit dhe që dy ambasadorët duket se ia kanë risjellë në vëmendje kryeministrit të Shqipërisë.

E para: AKSHI

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit është shndërruar në simbol të korrupsionit dhe dështimit shtetëror për mbrojtjen e të dhënave. Sipas opozitës, të dhënat sensitive të shtetit kanë përfunduar në duart e grupeve kriminale, përmes figurave të shpallura në kërkim si Ergys Agasi. Drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj është në arrest shtëpie nga SPAK dhe GJKKO. Për SHBA-në dhe BE-në, kjo nuk është një aferë dosido korruptive si tenderat e rrugëve, por një çështje e sigurisë kombëtare në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për BE.

E dyta: Belinda Balluku.

Rasti i Belinda Balluku përplaset drejtpërdrejt me logjikën politike dhe institucionale të Bashkimit Evropian dhe të SHBA. Në çdo vend të BE, një zyrtare e lartë ndaj së cilës ngrihen akuza penale nga një prokurori që gëzon besimin e SHBA dhe BE, së paku shkarkohet nga detyra. Përkundër këtij standardi europian Rama e ka marrë në mbrojtje Ballukun në menyrë demonstrative. “Askush nuk na tregon dot ne çfarë të bëjmë”, tha sot Rama plot arrogancë. 

Por mesazhi po lexohet siç duhet në Bruksel dhe Uashington. Por dy superfuqitë po shohin se deri ku mund të arrijë shpërfillja dhe shkelja e shtetit ligjor nga dikush që deri dje ata e kanë mbështetur pa rezerva. 

Karriget si arrogancë dhe paralajmërim

Largësia e VanHorn dhe Gonzato nga tavolina e Ramës nuk është çështje protokollare, por një paralajmërim se ai nuk pranon logjikën e tyre për trajtimin e aferave skandaloze korruptive që kanë shpërthyer. 

Përmes saj Rama po dërgon një sinjal për të treguar pushtetin e vet. Dikur thuhet se Berisha i tha një ambasadori amerikan se ai s’ishte veçse një zyrtar i emëruar dhe se po i kërkonte llogari një kryeministri të zgjedhur. Historia dihet si përfundoi. 

Korrupsioni i nivelit të lartë dhe dështimi në mbrojtjen e sigurisë kombëtare janë dy temat ku SHBA dhe BE nuk bëjnë kompromis. Dhe janë pikërisht këto dy fronte që duket se sot e ndajnë Ramën nga aleatët e tij më të fuqishëm.

Krizë që vetëm sa do thellohet

Video-reel-et mund të montohen, imazhet mund të filtrohen, por realiteti diplomatik nuk editohet.

Rama mund të vazhdojë të flasë me gjeste, por SHBA dhe BE po i përgjigjen duke ruajtur konstanten se SPAK është institucioni më i besueshëm në Shqipëri dhe se prokurorët e posaçëm kanë mbështetjen e tyre. 

Rama mund të vazhdojë të mbajë rreth vetes “të fortët” që i bëjnë zap popullin e kritikët, por ai po humb dy partnerët që po e mbajnë prej vitesh në pushtet duke mbyllur sytë para vjedhjes së votës, lumenjve të drogës dhe korrupsionit galopant. /Zoom.al

Postime të lidhura