zoom

Aktualitet

Mbledhja me dyer të mbyllura për mandatin e Ballukut, Bardhi: U bë për të fshehur të vërtetën

Mbledhja me dyer të mbyllura për mandatin e Ballukut, Bardhi: U bë për të fshehur të vërtetën

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar sërish lidhur me mbledhjen me dyer të mbyllura të Këshillit të Mandateve, ku u shqyrtua kërkesa për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Bardhit, vendimi për ta zhvilluar mbledhjen pa praninë e publikut është marrë me qëllim fshehjen e së vërtetës dhe zvarritjen e procesit, duke penguar drejtpërdrejt drejtësinë.

Në një deklaratë publike, Bardhi theksoi se rasti i njohur si “Balluku–Rama” po trajtohet në mënyrë të qëllimshme larg transparencës, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama për ndërhyrje dhe pengim të procesit ligjor.

Gazment Bardhi:

Mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve për rastin “Balluku-Rama” u bë për të fshehur të vërtetën, për të fshehur pengimin e drejtësisë që po bën Edi Rama dhe për të prodhuar lajme të rreme.

Qëndrimi i PD në mbledhje ka qenë i qartë:

Mbledhja duhet të jetë e hapur për publikun, ku secili deputet të jap llogari për qëndrimin e tij.

Mbështetje e plotë për kërkesën e SPAK dhe miratimi sa më parë i autorizimit.

Deputetët dhe e pandehura të kenë vetëm 3 ditë kohë për njohjen e provave, të cilat na u dhanë vetëm sot. 3-5 ditë kohë kërkoi edhe Prokuroria e Posaçme.

Mbledhja e ardhshme e Këshillit të bëhet të hënën, datë 22 Dhjetor 2025, ku Këshilli të rekomandojë dhënien e autorizimit për arrestim.

Edi Rama vendosi që të zvarrisë çështjen, duke e mbyllur mbledhjen pa caktuar një datë të mbledhjes së ardhshme. Kjo përbën PENGIM TË DREJTËSISË. Prokuroria konfirmoi se e pandehura Belinda Balluku po prish provat, duke intimiduar dëshmitarët. Është çështje e ngutshme miratimi i autorizimit nga ana e Kuvendit.

Anëtarët e opozitës do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit të Mandateve, në fillimin e javës së ardhshme, për të shqyrtuar dhe miratuar kërkesën për autorizim të Prokurorisë së Posaçme.

Zoom.al/

Postime të lidhura