zoom

Lajme

Bardhi kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve për Ballukun

Bardhi kërkon mbledhjen urgjente të Këshillit të Mandateve për Ballukun

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi sot se Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet sa më shpejt për të shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Bardhi tha për mediat se çdo ditë që Balluku qëndron e lirë rrezikon prishjen e provave dhe intimidimin e dëshmitarëve.

Ai shtoi se opozita ka kërkuar me insistim që mbledhja të mbahet menjëherë, duke theksuar se vonesat mund të ndikojnë në procesin e hetimeve dhe mund të rrezikojnë drejtësinë.

SPAK kërkon arrestimin e Ballukut për shkak të dyshimeve se ajo ka qenë e përfshirë në praktika korruptive që favorizojnë kompani të caktuara në projekte infrastrukturore, përfshirë Unazën e Madhe të Tiranës dhe ndërtimin e një tuneli.

Bardhi akuzoi mazhorancën për pengim të drejtësisë dhe përpjekje për të mbrojtur interesat e qeverisë, ndërsa Partia Demokratike kërkon që Kuvendi të veprojë me transparencë dhe të respektojë procedurat ligjore.

“Dënojmë me forcë aktin që kryetari i Kuvendit bëri gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mandateve gjatë shqyrtimit të kërkesës së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut. Si në asnjë rast tjetër, Niko Peleshi shtyu mbledhjen e Këshillit pa caktuar një afat, kur do të marrë në shqyrtim kërkesën.

Është akt politik, i urdhëruar nga Edi Rama, për të mbrojtur korrupsionin e tij, zv.kryeminsitres dhe qeverisë së tij.

Kemi kërkuar me forcë mbledhjen një orë e më parë të Këshillit të Mandateve për miratimin e kërkesës së Prokurorisë.

Çdo ditë në liri e Belinda Ballukut, nënkupton prishje të provave e intimidim të dëshmitarëve”, tha Bardhi./ Zoom.al

Postime të lidhura