zoom

Aktualitet

Ergys Agasi pas dyqaneve Rogers, a do t’i sekuestrojë SPAK?

Ergys Agasi pas dyqaneve Rogers, a do t’i sekuestrojë SPAK?

Hetimet e SPAK në dosjen AKSHI kanë nxjerrë në ditë një prej skemave më të madha të vjedhjes me tenderat dhe të pastrimit të parave nga dhe për llogari të Ergys Agasit.

10 milionë euro kanë qarkulluar gjatë viteve 2018–2021 përmes faturimeve për çokollata dhe biskota dhe produkte ushqimore pa asnjë lidhje me teknologjinë e informacionit apo shërbimet IT. Sipas materialeve hetimore, fondet janë kanalizuar drejt shoqërisë “Mega Distribution”, e kontrolluar nga Rogers Rryta dhe babai i tij. Vetë Rryta ka deklaruar para BKH se aktiviteti i shoqërisë kufizohet vetëm në tregtimin e produkteve ushqimore dhe veshjeve, duke mohuar çdo aktivitet në IT. Megjithatë, kreditime të vazhdueshme në euro, dollarë dhe lekë, mbi 10 milionë euro, janë justifikuar me fatura për shitje çokollatash dhe biskotash ndaj subjekteve IT si “Fastech” dhe “Soft & Solution”.

Rogers Rryta ka mohuar lidhjet me shtetasit Ermal Beqiri, Andis Papa, Ergys Agasi, Mirlinda Karçanaj, por hetimi ka zbuluar se bizneset e tij kanë qenë pjesë e skemës së pastrimit të parave. Rryta ka në pronësi edhe dyqanet “Rogers” në qendrën tregtare Toptani dhe pranë qendrës tregtare TEG.

Nuk dihet nëse SPAK i ka përfshirë apo këto dyqane në dosjen e tij për të parë origjinën reale të fondeve, faturat apo pronësinë. Burime të besueshmë nga krimi ekonomik thonë se pronari real i këtyre dyqaneve dyshohet të jetë Ergys Agasi. Nëse këto të dhëna do të rezultonin të vërteta, sekuestrimi i dyqaneve “Rogers” do të ishte hap i pritshëm ligjor nga SPAK.

LEXO EDHE: Dosja AKSHI/ Si u përdorën biskotat dhe çokollatat për të pastruar miliona euro në Shqipëri

Agasi është shpallur në kërkim nga SPAK së bashku me Ermal Beriqin. Ai dyshohet se ka marrë informacion për hetimin e SPAK nga kupola e policisë, drejtuesit e të cilës dyshohet se janë filmuar disa herë në zyrën e tij, nga pajisja përgjuese që kishte vënë vetë Agasi në zyrë dhe që tashmë është sekuestruar nga SPAK.

Avokati mbrojtës i Agasit, Maks Haxhia, tha se klienti i tij nuk ishte arratisur, por ishte jashtë vendit për një kontratë biznesi. Megjithatë, ndonëse kanë kaluar dy javë nga shpallja në kërkim nuk ka njoftim nga kompania e Agasit as për ndonjë kontratë të firmosur apo ndonjë reagim për lajmet se ai është personi që qëndron në majën të një prej skemave më të mëdha korruptive në vend. /Zoom.al

Postime të lidhura