zoom

Lajme

AKSHI, peng i drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, a po e shantazhon kryeministrin Edi Rama?

AKSHI, peng i drejtoreshës Mirlinda Karçanaj, a po e shantazhon kryeministrin Edi Rama?

Kanë kaluar 40 ditë nga akuzat penale të SPAK, por drejtoresha e AKSHI, Mirlinda Karçanaj vazhdon të qëndrojë në detyrë. Delegimi i kompetencave qe një truk për t’ia lehtësuar paksa barrën politike kryeministrit Edi Rama. Por Karçanaj është aty dhe nëse nuk e heq SPAK, nuk ka ndërmend të shkulet prej aty. 

Në korridoret e pushtetit po qarkullon gjithnjë e më fort ideja se Karçanaj po ushtron presion ndaj Edi Ramës. Po e bën këtë duke bllokuar funksionimin normal të AKSHI-t. Vetëm javën e fundit u pezulluan shërbimet për biznese të shumta dhe për mjekët, që nuk arritën dot as të lëshonin receta elektronike. 

Rënia e sistemeve të e-albania nuk është diçka e re për AKSHI, por në këto kohë defektet kanë shtuar dyshimet për një sabotim të qëllimshëm, që synon të krijojë perceptimin se pa Karçanajn, ky institucion nuk funksionon.

LEXO EDHE: https://zoom.al/e-albania-bllokon-aktivitetin-e-bizneseve-askush-nuk-pergjigjet-prej-nje-jave/

Në çdo vend normal, një zyrtar që vihet nën akuza të tmerrshme nga drejtësia duhet të kishte dhënë dorëheqjen. Po ashtu, kryeministri i një vendi normal do të duhet ta kishte shkarkuar nëse nuk do ta shihte dorëheqjen në tavolinë brenda ditës. Por asnjëra nuk ndodhi, ndonëse SHBA dhe BE janë të shqetësuar.

LEXO EDHE: https://zoom.al/skema-e-korrupsionit-tek-akshi-be-pezullon-fondet-edhe-per-axhenden-dixhitale-te-shqiperise/

Fakti që Rama nuk po e largon dot Mirlinda Karçanajn, duke pranuar më mirë që të marrë kosto politike mbi vete dhe kosto administrative për funksionimin e shërbimeve online, ka hapur një tjetër pistë dyshimi, se presioni ndaj tij është personal. 

Në qarqe politike flitet se Karçanaj disponon të dhëna sensitive, përfshirë informacione që lidhen me komunikime elektronike, të cilat do ta bënin largimin e saj të rrezikshëm politikisht dhe personalisht për kryeministrin. 

Nëse këto dyshime janë të pabaza, atëherë, moslargimi i saj nga detyra është vetëm një kapriçio e kryeministrit për të sfiduar ballë për ballë SPAK-un, të cilin e ka shpallur tashmë armik. 

Nëse janë të vërteta, atëherë problemi është shumë më i rëndë, pasi një shtet ku një drejtues institucioni mban peng dhe shantazhon kryeministrin, nuk është më zyrtar, por pengmarrës. 

LEXO EDHE: https://zoom.al/deklarata-bombe-e-gazetares-nje-tjeter-person-eshte-rrembyer-nga-akshi-per-te-ndalur-denoncimet/

Dhe për institucionin që drejton Karçanaj, pengmarrja dhe shantazhet nuk është diçka e panjohur. Nga hetimet e SPAK ndaj Ergys Agasit dhe Ermal Beqirajt, dy personave që kanë në dorë sistemet e AKSHI përmes tenderave miliona euro që kanë fituar, janë faktuar të paktën dy pengmarrje, njëra e biznesmenit Gerond Meçe dhe tjetra e ish -nëndrejtorit të AKSHI, Daniel Shima. /Zoom.al

Postime të lidhura