Aplikacion
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas protestës së zhvilluar, duke deklaruar se tubimi u dominua nga të rinjtë dhe duke akuzuar Policinë e Shtetit për ushtrim dhune të ashpër ndaj protestuesve.
Në një deklaratë për mediat, Berisha u shpreh se pjesëmarrja masive e të rinjve dhe adoleshentëve përbën një zhvillim të rëndësishëm dhe një sinjal shprese për të ardhmen. Sipas tij, energjia, guximi dhe vendosmëria e rinisë janë tregues se do të jenë pikërisht ata që do të sjellin ndryshimin politik në vend.
“Protesta pati një risi jashtëzakonisht të rëndësishme dhe themelore. Ajo u dominua nga rinia, nga të rinjtë, adoleshentët. U dominua nga guximi, energjia dhe vendosmëria e tyre. Ky është një ogur i bardhë për shqiptarët dhe një shpresë e vërtetë se do të jenë të rinjtë ata që do ta largojnë nga pushteti këtë organizatë kriminale”, u shpreh Berisha.
Ai akuzoi Policinë e Shtetit se, me urdhër të kryeministrit Edi Rama, ka përdorur dhunë të egër ndaj protestuesve, duke përmendur përdorimin e gazit lotsjellës, topave të ujit dhe mjeteve të tjera. Berisha pretendoi se gazi lotsjellës i përdorur ishte i skaduar dhe se, sipas tij, përbën rrezik serioz për shëndetin.
“U përdor gaz lotsjellës i skaduar prej tre vitesh, i cili pas skadimit transformohet në helme të tjera që mund të shkaktojnë dëmtime të rënda dhe madje humbje të shikimit. Protestues paqësorë u goditën me shkopinj, u ndaluan dhe u arrestuan në mënyrë brutale”, deklaroi ai.
Berisha përmendi gjithashtu një rast të rëndë, ku sipas tij, një fëmijë 10-vjeçar është ndaluar nga policia, ndonëse nuk kishte asnjë lidhje me protestën. Ai e cilësoi këtë veprim si shkelje të rëndë të konventave ndërkombëtare dhe akuzoi qeverinë për akte kriminale ndaj fëmijëve dhe qytetarëve të pafajshëm.
Sali Berisha: E vërteta, protesta pati një risi jashtëzakonisht të rëndësishme dhe themelore. Ajo u dominua nga rinia, nga të rinjtë, adoleshentët.
U dominua pra nga guximi, energjia dhe vendosmëria e të rinjve.
Një ogur i bardhë shumë ky për shqiptarët. Një shpresë e vërtetë, se do jenë të rinjtë dhe gjenerata e tyre, ata të cilët do të përmbysin, do të largojnë nga pushteti këtë organizatë kriminale.
Dje, narkopolicia me urdhër të Edi Ramës, e komanduar nga Proda i krimit, Proda i Gys Agasit edhe Suel Çelës, përdori dhunë të egër ndaj protestuesve.
Goditi me të gjitha mjetet, përdori gaz lotsjellës të skaduar, i cili në konventa ndërkombëtare përbën helm luftarak dhe s’mund të përdoret kurrë ndaj protestave.
Gazi lotsjellës ishte i skaduar prej tre vitesh. Dhe ai pas skadimit është e njohur se transformohet në helme të tjera të cilat japin dëmtime të rënda sistemeve, por mund të shkaktojnë dhe humbjen e pamjeve. U përdorën topat e ujit dhe mjete të tjera.
U goditën me shkopi protestues paqësorë dhe u arrestuan, u ndaluan brutalisht në akte të që cilësohen në krime kundër njerëzimit.
Fëmijë 10 vjeç tek dilte nga xhamia, 10 vjeçar, Romeo dhe s’kishte asnjë lidhje me protestën. Ai kishte ardhur me detyra të ngarkuara nga familjarët e tij. Dhe e morën në mënyrën më të turpshme, më kriminale.
Do të ushtojnë kohë të gjatë lutjet e tij ndaj atyre banditëve pesë burra që e tërhiqnin zvarrë një fëmijë 10 vjeçar. E çuan në komisariat. Shkelën konventat ndërkombëtare.
Fytyra e vërtetë e Edi Ramës, i cili edhe kur të jetë puna për karrigen e tij, nuk ndalet as për krime para fëmijëve. Akte kriminale ndaj fëmijëve. Po kështu, agresuan qytetarë që s’kishin lidhje me protestën.
Agresuan, arrestuan qytetarë që nuk ishin fare në protestë. U sollën egërsisht dhe në mënyrë të padenjë ndaj deputetëve. Agresuan si të droguar. Akte këto vetëm të njerëzve në panik të tmerrshëm. Të njerëzve pa shpresë. Përpjekje për të mbuluar krimet e, krimet monstruoze të Edi Ramës, Belinda Ballukut, Lindës së AKSHIT dhe Lindës së Surrelit, e Gys Agasit e të tjerë.