Aplikacion
Dy vite më parë, Edi Rama doli me një strategji publike për të hequr përgjegjësinë nga akuzat e ngritura nga SPAK për ish -zëvendësin e tij, Arben Ahmetaj.
Përballë gazetarit Blendi Fevziu, që i kërkonte të mbante përgjegjësi politike për Ahmetajn, Tahirin, Lefter Kokën, Aqli Bllakon etj, ai solli një shembull nga qeverisja e largët e Sali Berishës. I kujtoi Fevziut dhe opinionit publik se Berisha kishte mbajtur në detyrë drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, Arben Sefgjini, ndonëse gjykata e kishte lënë në arrest shtëpie. Dhe përbetohej se ai nuk do të vepronte njësoj.
“Tani, përsa i përket çështjes së Arben Ahmetajt, dhe unë kam punuar me të për një kohë të gjatë, këto gjëra që dalin, në qofshin të vërteta, gjë që do ta thotë prokuroria, më vjen shumë keq, por nuk e ndihmoj dot. Në qofshin të vërteta. Përgjegjësi morale kryeministri ka kur gjykata çon në arrest shtëpie dhe kryeministri del në konferencë shtypi dhe thotë se prezumimi i pafajësisë është i shenjtë. Ai do të vazhdojë t’i drejtojë tatimet nga shtëpia. E thoshte ky i vdekuri që kujton se është gjallë (i referohet Berishës), kur ishte kryeministër, ndërsa unë mendoj që ky nuk është prezumim pafajësie, por është pikërisht përgjegjësia morale e kryeministrit. Që do të thotë, kryeministri nuk mban përgjegjësi pse drejtori i tatimeve ose ministri çmendet dhe del nga shinat, mbrapa shpinës së tij, por mban përgjegjësi për mënyrën se si reagon në momentin kur gjëja merr formën e një akuze. Dhe ky është dallim i madh. Kjo është përgjegjësia morale” -deklaronte Rama. (Shih videon më poshtë në minutën 05:00 ose kliko KËTU)
Sot situatë është përmbysur. SPAK dhe Gjykata e Posaçme (GJKKO) kanë vendosur në arrest shtëpie drejtoreshën e AKSHI, (Agjecisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit), nën akuzën për grup të strukturuar kriminal, për shkak të abuzimeve prej qindra miliona eurosh në bashkëpunim me shtetasit Ergys Agasi dhe Ermal Beqiraj.
Por Rama nuk e shkarkon edhe pse AKSHI është një institucion që ndodhet drejtpërdrejt nën vartësinë e kryeministrit. Ai mbajti në detyrë për 2 muaj edhe drejtorët e KESH dhe ARRSH të vendosur po në arrest shtëpie për abuzim me tenderat.
Tani, kryeministri ka ndërruar pllakën. Opozita thotë se AKSHI është kopështi i tij privat, pasi tenderat i merrte baxhanaku i tij Armand Frangu. Por Rama, që dikur thoshte se lejimi i një zyrtari të akuzuar që të vazhdonte të drejtonte institucionin “nga shtëpia” nuk kishte asnjë lidhje me shtetin e së drejtës, po bën të njëjtën gjë me Mirlinda Karçanajn. Formalisht ajo i ka deleguar kompetencat, por ky veprim duket si artificë, ndërsa Rama nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta shkarkuar.
Ndryshe nga standardi që Rama predikonte publikisht disa vite më parë, sot ai nuk po e mban përgjegjësinë morale që i kërkonte Berishës dikur.
Kontradikta është pakontestueshme. Opozita thotë se Rama e ka hallin shumë të madh me AKSHI-n. Ajo ka postuar edhe video e prova se si Ergys Agasi shoqërohej me eskortën e kryeministrit, duke e ndjekur atë nga pas. Sipas saj, makina e Agasit u pa dhe u gjobit nga policia pak metra larg shtëpisë së Edi Ramës në Surrel dhe kjo ka ndodhur më 15 dhjetor, 5 ditë përpara se Agasi të shpallej në kërkim.
Edi Rama po tregon se kur i nevojiet, për të dalë nga situata, një herë rreh gjoksin për standardet, një herë i shkel ato, pa i hyrë gjëmb në këmbë. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari