zoom

Aktualitet

“Do të vrasim ty, grua, motër e nënë”- 6 orët e rrëmbimit, Gerond Meçe rrëfen pse nuk bëri denoncim

“Do të vrasim ty, grua, motër e nënë”- 6 orët e rrëmbimit, Gerond Meçe rrëfen pse nuk bëri denoncim

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për grupin e strukturuar kriminal të dyshuar në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) përfshihen edhe dëshmi tronditëse mbi rrëmbimin dhe mbajtjen peng për rreth gjashtë orë të biznesmenit Gerond Meçe, i cili garonte në tenderët e kësaj agjencie.

Biznesmeni është marrë në pyetje nga prokurorët e SPAK më 22 gusht 2025, ku ka rrëfyer me detaje mënyrën se si u rrëmbye nga katër persona që u prezantuan rrejshëm si agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas dëshmisë së tij, ngjarja ndodhi pranë pallatit ku banonte, ku njëri prej autorëve i tha “jemi SPAK-u, duhet të vish me ne”, duke e bindur fillimisht të hipte në një automjet tip “Range Defender”.

Meçe ka deklaruar se tre prej autorëve nuk ishin të maskuar dhe mbanin veshje që ngjanin me ato të policisë, ndërsa shoferi ishte i maskuar. Ai ka dhënë përshkrime të detajuara fizike, përfshirë tatuazhet e dy prej personave, duke theksuar se është në gjendje t’i identifikojë.

Dyshimet se nuk kishin të bënin me punonjës policie u forcuan në momentin kur tentuan t’i vendosnin prangat dhe nuk dinin t’i përdornin, ndërsa më pas atij iu vendos një kapuç i zi dhe automjeti u drejtua jashtë Tiranës, në vend që të shkonte në një komisariat, siç i ishte thënë.

Rrëmbimi vijoi drejt Elbasanit përmes rrugës së Kërrabës. Rreth orës 11:20, automjeti ndaloi në një zonë pranë fshatit Gracen, ku autorët e nxorën nga makina, i morën telefonin dhe e kërcënuan me armë zjarri, duke i kërkuar bashkëpunim.

Sipas dëshmisë, njëri prej pengmarrësve i tregoi një tabelë “Excel” me tenderat që Meçe kishte ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik, duke i kërkuar që të tërhiqej nga këto ankime. “Janë tendera që duhet t’i tërhiqësh, nuk kemi punë me paratë e tua”, i kanë thënë, ndërsa e kërcënuan se nëse nuk bashkëpunonte, “do të kishte plumbin në kokë”.

Biznesmeni ka tentuar të negociojë, duke shpjeguar se nuk ishte më administrator dhe se tërheqja nuk mund të bëhej në atë moment. Gjatë kohës që mbahej peng, autorët kanë kontaktuar edhe administratorin e kompanisë “ABS”, Shkëlqim Kërluku, përmes telefonit të tij.

Rreth orës 15:10, pasi u siguruan se familjarët e Meçes nuk kishin bërë asnjë denoncim në polici, pengmarrësit e liruan atë pranë rrethrrotullimit që lidh autostradën Tiranë–Elbasan, në afërsi të Bradasheshit.

Sipas dëshmisë në SPAK, para se ta linin të lirë, autorët e kanë kërcënuar rëndë biznesmenin, duke i thënë se nëse do të bënte denoncim apo do të shkaktonte probleme, “do ta vrisnin atë, gruan, motrën dhe nënën e tij”, kërcënim që e detyroi të mos e raportonte menjëherë ngjarjen.

Ky ishte kontakti i fundit që Gerond Meçe thotë se pati me pengmarrësit e tij, ndërsa denoncim thotë se nuk bëri sepse nëndrejtori i policisë së Tiranës Erion Ismaili, kohë më parë, nëpërmjet një personi që thotë se nuk i kujtohet, i kishte kërkuar të qëndronte sa më larg nga AKSHI-i.

Këto dëshmi janë tashmë pjesë e dosjes së SPAK dhe po hetohen në kuadër të hetimeve për grupin e strukturuar kriminal të dyshuar në lidhje me tenderët e AKSHI-t./BIRN

Postime të lidhura