zoom

Aktualitet

Ngjarja në Maliq, Skënder Hita: Kallashnikovi depërtoi jelekun antiplumb të policit, nuk kisha dijeni për operacionin

Ngjarja në Maliq, Skënder Hita: Kallashnikovi depërtoi jelekun antiplumb të policit, nuk kisha dijeni për operacionin

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dhe ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dolën këtë të enjte në një konferencë për mediat nga Korça, ku dhanë detaje mbi ngjarjen e rëndë në Lozhan të Maliqit, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij, Edison Adri.

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi gjatë një operacioni për kapjen e Violand Braçellarit, një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë dhe i kërkuar prej kohësh nga policia. Gjatë ndërhyrjes së forcave policore, Braçellari dyshohet se hapi zjarr me armë ndaj efektivëve, duke shkaktuar vdekjen e Mekollit dhe plagosjen e Adrit. Në shkëmbimin e zjarrit mbeti i plagosur edhe vetë autori.

Drejtori i Policisë, Skënder Hita, deklaroi se në operacion kishin marrë pjesë rreth 40 forca policore, të pajisura me mjete mbrojtëse, përfshirë jelekë antiplumb. Megjithatë, sipas tij, arma automatike kallashnikov e përdorur nga autori ka depërtuar jelekun mbrojtës të efektivit.

“Kanë qenë 40 efektivë policie në operacion, të gjithë me masa mbrojtëse dhe jelekë antiplumb, por arma e përdorur nga autori ka qenë kallashnikov dhe për fat të keq ka depërtuar antiplumbin”, u shpreh Hita.

Ai bëri me dije se informacioni për vendndodhjen e Braçellarit ishte administruar nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, e cila kishte hartuar vetë planin operacional dhe kishte vendosur të mos kërkonte mbështetjen e forcave speciale RENEA.

Kryepolici pranoi se nuk kishte qenë në dijeni të operacionit para se ai të zhvillohej dhe shtoi se tashmë është urdhëruar një hetim i brendshëm për të analizuar procedurat e ndjekura nga strukturat vendore të policisë.

“Nuk kam pasur dijeni për operacionin. Kam urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për të hetuar të gjithë procedurën dhe për të verifikuar pse nuk është kërkuar ndihma e RENEA-s”, deklaroi Hita.

Ndërkohë, efektivi i plagosur Edison Adri ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në nofull dhe aktualisht, ndodhet në gjendje të qëndrueshme shëndetësore./ Zoom.al

Postime të lidhura