Aplikacion
Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në orët e para të mëngjesit të së enjtes në zonën e Podenës, në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën një efektiv i Policisë së Shtetit dhe mbeti i plagosur një tjetër.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar i ngjarjes, Violand Braçellari, i datëlindjes 1983 rezulton ish-ushtarak dhe person i shpallur në kërkim prej vitesh. Mësohet se ai kërkohej nga Policia e Vlorës dhe kishte gjithashtu një vendim gjykate për çështje të lidhura me lëndët narkotike.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se policia kishte marrë informacione se Braçellari fshihej në një zonë të thellë malore në Podenë. Pas sinjalizimeve, efektivë të Policisë së Korçës organizuan një operacion për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Braçellari dyshohet se jetonte prej disa vitesh në pyjet e zonës, ku kishte ngritur një stan të madh dhe mbante disa qen. Një ditë para operacionit, autoritetet kishin siguruar të dhëna për vendndodhjen e tij dhe kishin nisur përgatitjet për ndërhyrje.
Sipas të dhënave paraprake, në operacion morën pjesë rreth 7-8 efektivë policie, disa prej tyre të veshur civilë. Por i kërkuari ka arritur të identifikojë praninë e policisë gjatë natës, rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit dhe ka hapur zjarr në drejtim të tyre.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos punonjësi i policisë Edison Adri. Ky i fundit po transportohet drejt Tiranës për të marrë trajtim më të specializuar mjekësor.
Gjatë përplasjes me armë mbeti i plagosur edhe vetë autori i dyshuar, Violand Braçellari, i cili më pas u neutralizua dhe u vu në pranga nga forcat e policisë.
Pas ngjarjes, zona është rrethuar nga forca të shumta policore, ndërsa drejtues të lartë të Policisë së Korçës dhe grupet hetimore kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer veprimet procedurale dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi dinamikën e ngjarjes, mënyrën se si u lokalizua i kërkuari dhe rrethanat që çuan në përplasjen fatale me armë./ Zoom.al