Aplikacion
Ky është efektivi i policisë Enea Mekolli që humbi jetën mëngjesin e sotëm gjatë operacionit për kapjen e një të shumëkërkuari në Maliq.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Lozhanit, në malin Boden, ku ishte organizuar një operacion për arrestimin e 43-vjeçarit Violand Braçellari, ish-ushtarak i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë.
Rreth orës 07:30, efektivët e policisë kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari. Sipas policisë, shërbimet i kanë bërë thirrje të dorëzohej, por ai nuk i është bindur urdhrit dhe ka hapur zjarr në drejtim të uniformave blu.
Si pasojë e sulmit, humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa mbeti i plagosur kolegu i tij Edison Adri, 36 vjeç, gjithashtu pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Për neutralizimin e autorit, policia iu kundërpërgjigj me armë zjarri, duke e plagosur dhe më pas arrestuar Violand Braçellarin.
Sipas të dhënave zyrtare, Braçellari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa që prej vitit 2011 ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Në vendngjarje është nisur helikopteri i shëndetësisë, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë