zoom

Aktualitet

Tronditet Maliqi!Vritet efektivi gjatë një operacioni policor, plagoset një tjetër

Tronditet Maliqi!Vritet efektivi gjatë një operacioni policor, plagoset një tjetër

Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e së enjtes në fshatin Lozhan të Maliqit, ku gjatë një operacioni policor ka humbur jetën një efektiv i Policisë së Shtetit, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.

Sipas informacioneve paraprake, forcat e policisë po zhvillonin një aksion për kapjen e një personi të shpallur në kërkim, të identifikuar si Violand Braçellari. Gjatë ndërhyrjes ka pasur shkëmbim zjarri mes të dyshuarit dhe efektivëve të policisë.

Si pasojë e të shtënave, ka mbetur i vrarë efektivi Enea Mekolli, ndërsa është plagosur rëndë efektivi Edison Adri. Ky i fundit pritet të transportohet me helikopter drejt Tiranës për trajtim të specializuar mjekësor.

Nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur edhe i dyshuari Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar nga forcat e policisë.

Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policore, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera zyrtare mbi dinamikën e incidentit./ Zoom.al