Aplikacion
Ky është momenti kur autori i dyshuar i vrasjes së efektivit Enea Mekolli mbërrin në spital, pas neutralizimit nga policia gjatë operacionit në Maliq.
43-vjeçari Violand Braçellari, i shpallur në kërkim prej vitesh dhe i konsideruar nga policia si person me rrezikshmëri të lartë, mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e rendit në zonën e Lozhanit, në malin Boden. Mësohet se ai ka marrë plagë në brinjë.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, mëngjesin e sotëm shërbimet e DVP Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe Komisariatit të Policisë Korçë organizuan një operacion për kapjen e tij, pasi kishin siguruar informacione për vendndodhjen e të shumëkërkuarit.
Rreth orës 07:30, efektivët rrethuan stanin ku ai dyshohej se fshihej dhe i bënë thirrje të dorëzohej. Por, sipas policisë, Braçellari nuk iu bind urdhrit dhe hapi zjarr në drejtim të uniformave blu.
Si pasojë e të shtënave humbi jetën në krye të detyrës inspektori i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa u plagos kolegu i tij, inspektori Edison Adri, 36 vjeç.
Për të neutralizuar sulmin, efektivët iu kundërpërgjigjën me armë zjarri, duke plagosur dhe më pas arrestuar 43-vjeçarin. Në pamjet e siguruara shihet momenti kur ai transportohet me ambulancë drejt spitalit nën masa të rrepta sigurie.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, vijon hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.