zoom

Aktualitet

Vrasja e efektivit në Maliq, reagon Rama

Vrasja e efektivit në Maliq, reagon Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në zonën e Lozhanit, në Maliq, ku gjatë një operacioni policor humbi jetën efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, ndërsa një tjetër punonjës policie mbeti i plagosur.

Përmes një postimi në rrjetin social X, Rama e cilësoi operacionin si një ndërhyrje kurajoze për kapjen e një personi të shumëkërkuar, i cili prej vitesh i ishte shmangur drejtësisë dhe kishte mundur t’u shpëtonte disa herë rrethimeve të policisë në zonat malore të Korçës.

“Gjatë një operacioni kurajoz për kapjen e një të shumëkërkuari, që prej vitesh i fshihej ligjit në malet e Korçës dhe në mënyrë të përsëritur kishte arritur t’u ikte rrethimeve të forcave të rendit, ka humbur jetën një efektiv policie e është plagosur një i dytë, ndërkohë që pasi ka hapur zjarr ndaj tyre u plagos dhe u kap edhe krimineli”, shkruan Rama.

Në fund të reagimit të tij, kreu i qeverisë shprehu ngushëllimet për familjen e efektivit të ndjerë dhe uroi shërim të shpejtë për policin e plagosur.

“Nderim përjetë dëshmorit të atdheut, ngushëllime familjes dhe shërim të shpejtë efektivit tjetër. Ndëshkim maksimal për të shumëkërkuarin dhe respekt maksimal për Policinë e Shtetit, që nuk do të ndalet asnjëherë në misionin e saj”, shtoi Kryeministri.

Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, operacioni u zhvillua në kuadër të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, pasi autoritetet kishin siguruar të dhëna për vendndodhjen e shtetasit Violand Braçellari, 43 vjeç, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë.

Rreth orës 07:30, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, Komisariatit të Policisë Maliq dhe Komisariatit të Policisë Korçë rrethuan stanin në malin Boden, ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari. Pasi policia i bëri thirrje të dorëzohej, ai nuk iu bind urdhrit dhe hapi zjarr në drejtim të efektivëve.

Si pasojë e të shtënave humbi jetën inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, ndërsa u plagos inspektori Edison Adri, 36 vjeç, të dy pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Për të neutralizuar sulmin, efektivët iu kundërpërgjigjën me armë zjarri, duke plagosur dhe më pas arrestuar të shumëkërkuarin.

Postime të lidhura