Aplikacion
Hetimet e zhvilluara lidhur me ngjarjen e rëndë në Lozhan, ku gjatë një shkëmbimi zjarri mbeti i vrarë efektivi i policisë Enea Mekolli dhe u plagos Edison Adri, kanë zbardhur detaje të reja mbi arsenalin e gjetur në vendstrehimin e të dyshuarit Violand Braçellari.
Sipas informacioneve nga grupi hetimor, në stanin ku dyshohet se fshihej Braçellari janë gjetur tre armë zjarri: një automatik kallashnikov, një pushkë model 56 dhe një armë gjahu e tipit cifte. Nga kontrolli i ushtruar nuk është gjetur municion, çka ngre dyshime se i dyshuari mund të ketë përdorur të gjithë sasinë e fishekëve që dispononte gjatë përplasjes me forcat e policisë.
Në vendngjarje është sekuestruar gjithashtu një radio policie. Hetuesit bëjnë të ditur se gjatë operacionit, efektivët kanë fikur pajisjet e tyre të komunikimit për të shmangur interferencën e mundshme me sinjalin e pajisjes së gjetur te i dyshuari.
Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), lidhur me zbatimin e procedurave dhe protokolleve nga Drejtoria Vendore e Policisë Korçë, nuk janë konstatuar shkelje. Po ashtu, sipas grupit hetimor, vlerësimi i rrezikshmërisë së të dyshuarit është bërë në mënyrë korrekte, duke marrë parasysh se ai rezultonte i dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe jo për vepra të rënda kundër jetës.
Sa i përket mungesës së kërkesës për ndërhyrjen e forcave speciale RENEA, hetuesit theksojnë se një kërkesë e tillë bëhet rast pas rasti dhe nuk përbën detyrim në çdo operacion policor, duke u bazuar në vlerësimin operacional të situatës.
Ndërkohë, burime jozyrtare pranë familjarëve të Braçellarit bëjnë me dije se i dyshuari për vrasjen e efektivit në Maliq dyshohet të ketë përfituar më herët fonde nga AZHBR për ngritjen e stallave blegtorale. Sipas këtyre burimeve, mbetet e paqartë nëse subvencionet janë përfituar në emrin e tij apo të nënës.
Këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet përkatëse.
Hetimet për ngjarjen vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë të gjitha rrethanat që çuan në përplasjen e armatosur dhe humbjen e jetës së efektivit të policisë