Aplikacion
Zoom.al ka siguruar foton e Enea Mekollit, efektivit të vrarë gjatë opeacionit policor në Lozhan të Maliqit, kolegut të tij, Edison Adri dhe autorit të dyshuar të ngjarjes, Violand Braçellari.

(Viktima Enea Mekolli)
34-vjeçar u qëllua për vdekje në malin Boden, ku ishte organizuar një operacion për arrestimin e 43-vjeçarit Violand Braçellari, ish-ushtarak i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë, pasi ky i fundit kur shërbimet e policisë i bërë thirrje të dorëzohej, nuk i është bindur urdhrit dhe ka hapur zjarr në drejtim të uniformave blu.
Ndërkohë mbeti i plagosur kolegu i tij Edison Adri, 36 vjeç, gjithashtu pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”.

(Efektivi i plagosur, Edison Andri)
36-vjeçari u nis për mjekim të specializuar drejt Traumës me helikopterin e ushtrisë, pasi mori ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Korçës ndërsa ende nuk dihet sesi është gjendja e tij shëndetësore
Për neutralizimin e autorit, policia iu kundërpërgjigj me armë zjarri, duke e plagosur dhe më pas arrestuar Violand Braçellarin.

(Autori Violand Braçellari)
Sipas të dhënave zyrtare, Braçellari ishte dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa që prej vitit 2011 ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Kush është autori
43-vjeçari Violand Braçellari, që dyshohet se vrau efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, konsiderohej nga autoritetet një person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte i njohur në zonë për precedentët e tij kriminalë. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Korçës për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa vendimi ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit dhe më pas nga Gjykata e Lartë.
Sipas dosjes gjyqësore, 43-vjeçari u vu nën vëzhgim nga policia në vitin 2015, pas informacioneve se ishte i përfshirë në aktivitetin e trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë një operacioni të zhvilluar në zonën e njohur si “Çezma e Senishtit” në Korçë, efektivët ndaluan automjetin ku ai udhëtonte bashkë me dy persona të tjerë.
Kontrollet e kryera në atë kohë zbuluan qese plastike dhe doreza kirurgjikale, ndërsa nga këqyrja e telefonit celular të Braçellarit u gjetën fotografi dhe video që, sipas hetuesve, tregonin parcela me bimë narkotike, si dhe procesin e transportimit dhe tharjes së tyre.
Po ashtu, nga përgjimet telefonike të administruara në dosje, ai komunikonte me persona të identifikuar si “Sandri” dhe “Toni”, duke diskutuar për tharjen dhe lëvizjen e lëndës narkotike. Më vonë, gjatë kontrollit në një banesë që ai përdorte në fshatin Lozhan i Sipërm, policia gjeti edhe mbetje të bimës cannabis sativa.
Ndërkohë, Braçellari rezulton se ishte përfshirë edhe në një tjetër procedim penal. Në vitin 2024, Prokuroria e Korçës e mori të pandehur për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” ndaj një shtetasi, ndërsa në janar të vitit 2026 Gjykata e Korçës urdhëroi njoftimin e tij për seancë gjyqësore, pasi ai nuk u gjet në adresën e banimit në Lozhan të Maliqit.
43-vjeçari u arrestua paraditen e së enjtes, pasi mbeti i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e policisë. Sipas autoriteteve, gjatë operacionit për kapjen e tij ai hapi zjarr ndaj efektivëve, duke lënë të vrarë inspektorin Enea Mekolli dhe duke plagosur një tjetër punonjës të Forcës së Posaçme “Shqiponja”.