zoom

Aktualitet

Mori plumb në kokë, qafë e gjoks, zbardhet dinamika e vrasjes së efektivit Enea Mekolli! Si ndodhi ngjarja e rëndë

Mori plumb në kokë, qafë e gjoks, zbardhet dinamika e vrasjes së efektivit Enea Mekolli! Si ndodhi ngjarja e rëndë

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga dosja hetimore e ngjarjes së rëndë të 4 qershorit 2026 në malin e Bodësë, në Korçë, ku gjatë një operacioni policor mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, ndërsa u plagos kolegu i tij, Edison Adri.

Sipas materialeve hetimore, operacioni për kapjen e të shumëkërkuarit Violand Braçellari u organizua pas kallëzimit të një 32-vjeçari, i identifikuar me inicialet A.K., i cili kishte deklaruar se ishte dhunuar dhe kanosur me armë automatike nga Braçellari, pranë stallave të bagëtive në malin e Bodësë.

Bazuar në këtë informacion, mëngjesin e 4 qershorit, rreth orës 07:00, forcat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë rrethuan zonën ku ndodheshin disa objekte të përdorura si stalla. Sipas dosjes, pa u mbyllur plotësisht rrethimi, Braçellari ka hapur zjarr në drejtim të efektivëve.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, humbi jetën efektivi Enea Mekolli, ndërsa u plagos Edison Adri. Autori i dyshuar tentoi të largohej nga vendngjarja, por u kap disa metra më poshtë, pasi ishte plagosur gjatë përplasjes.

Një nga elementët më domethënës të dosjes hetimore lidhet me armën e shërbimit të efektivit të vrarë. Sipas këqyrjes së vendit të ngjarjes, pranë trupit të Mekollit u gjet arma automatike me një fishek në folenë e qitjes dhe 29 fishekë në krehër, çka sipas hetuesve tregon se ai nuk ka arritur të qëllojë asnjë herë gjatë sulmit.

Ekspertët kanë konstatuar se Mekolli kishte marrë plagë të shumta në kokë, qafë, gjoks dhe gjymtyrë, të gjitha të shkaktuara nga armë zjarri. Ai u gjet i veshur me uniformën e policisë dhe me jelek antiplumb, i cili paraqiste dëmtime në pjesën e përparme.

Në vendngjarje janë sekuestruar një sërë provash materiale, mes tyre arma automatike model 56 që dyshohet se është përdorur nga Braçellari, gëzhoja të shumta të kalibrit 7.62 mm, katër gëzhoja 9 mm, si dhe armët dhe jelekët antiplumb të efektivëve pjesëmarrës në operacion.

Sipas dosjes, arma automatike e gjetur pranë Braçellarit rezultonte e boshatisur, ndërsa përgjatë itinerarit të arratisjes së tij janë gjetur dhjetëra gëzhoja, të cilat dyshohet se janë qitur nga e njëjta armë.

Hetuesit kanë sekuestruar gjithashtu radion e policisë dhe jelekun antiplumb të efektivit të plagosur Edison Adri, të cilat ishin të njollosura me gjak.

Të gjitha armët, gëzhojat dhe provat biologjike të mbledhura në vendngjarje do t’i nënshtrohen ekspertizave balistike dhe biologjike, me qëllim rindërtimin e plotë të dinamikës së ngjarjes që i mori jetën efektivit Enea Mekolli.

Postime të lidhura