zoom

Lajme

Kuvendi rrëzon kërkesën e PD për interpelancë urgjente me Ramën për çështjen Balluku

Kuvendi rrëzon kërkesën e PD për interpelancë urgjente me Ramën për çështjen Balluku

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka refuzuar kërkesën e Partisë Demokratike për një interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama lidhur me çështjen e Belinda Ballukut, duke argumentuar se kjo çështje ndodhet aktualisht në Gjykatën Kushtetuese.

Në seancën plenare, Peleshi sqaroi se ndërhyrja e Kuvendit në një çështje që po shqyrtohet nga GJK do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve. Ai theksoi se është pikërisht Gjykata Kushtetuese ajo që duhet të japë interpretimin përfundimtar mbi kompetencat e institucioneve përkatëse. Kërkesa e opozitës u rrëzua me 74 vota pro.

“Kam argumentuar mospranimin e kërkesës për interpelancë, pasi objekti i saj është aktualisht në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, e cila po vlerëson pranueshmërinë e çështjes për seancë plenare,” deklaroi Peleshi.

Ai shtoi se çdo veprim politik para vendimit të GJK-së do të rrezikonte të cenonte pavarësinë institucionale:
“Çdo përpjekje për të nxjerrë një verdikt politik përpara përfundimit të shqyrtimit kushtetues mund të dëmtojë balancën mes pushteteve. Është e domosdoshme të pritet vendimi i GJK.”

Kuvendi pritet të rikthehet te çështja vetëm pasi Gjykata Kushtetuese të japë vendimin përfundimtar.

Postime të lidhura