zoom

Lajme

Berisha: Balluku duhej të ishte arrestuar me kohë, po prishin provat ditë e natë

Berisha: Balluku duhej të ishte arrestuar me kohë, po prishin provat ditë e natë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se ministrja Belinda Balluku “duhej të ishte arrestuar prej kohësh”, duke pretenduar se në institucionet që ajo drejton “po zhduken prova dhe dokumente ditë e natë”.

Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të së enjtes, Berisha akuzoi Ballukun për administrimin e 12 miliardë eurove fonde publike, nga të cilave, sipas tij, “10.3 miliardë janë zhdukur pa asnjë gjurmë”. Ai përmendi si shembuj rrugën e Qafë Plloçës, rrugën e Ersekës dhe aksin e Arbrit, duke i cilësuar si “vepra që dëshmojnë për keqmenaxhim dhe abuzim”.

Berisha e lidh këtë situatë me atë që e cilëson “rrënim ekonomik”, duke theksuar se për herë të parë në 32 vite “rritja ekonomike mbështetet më shumë nga kontributi i shtetit sesa nga ekonomia reale”, e cila sipas tij “është në rënie të lirë për shkak të drogës dhe korrupsionit”.

Ai akuzoi edhe Gjykatën Kushtetuese se ka vepruar “nën presion”, duke mos rrëzuar shqyrtimin e pezullimit të Ballukut, ndryshe nga vendimi i saj për mosshqyrtimin e kërkesës së 30 deputetëve. Sipas Berishës, ky vendim përbën “shkelje të Kushtetutës” dhe mbrojtje të një mase që, sipas tij, “në vendet e Europës konsiderohet e zakonshme”./ Zoom.al

Postime të lidhura