zoom

Lajme

Bardhi: Deklaratat e Ramës zbuluan përfshirjen e tij në aferën e Llogarasë

Bardhi: Deklaratat e Ramës zbuluan përfshirjen e tij në aferën e Llogarasë

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për rastin “Balluku”, duke e akuzuar atë se po vepron si avokat i zëvendëskryeministres e cila po përballet me drejtësinë.

Sipas Bardhit, kryeministri foli për disa minuta pa sjellë asnjë provë ligjore që të mbështesë pretendimin se një ministër nuk mund të pezullohet nga detyra.

Ai thotë se Rama shmangu argumentet dhe u mor me sulme politike ndaj opozitës.

“Qytetarët prisnin të thoshte se në cilin dokument të Venecias apo në cilin vendim të Strasburgut thuhet se ministrat nuk pezullohen. Në vend të kësaj, dha sharje dhe akuza”, shkruan Bardhi.

Ai shton se pjesa më problematike e deklaratës së Ramës ishte pranimi se ai vetë është palë në procesin gjyqësor që përfshin Ballukun, duke e lidhur këtë me aferën e Tunelit të Llogarasë.

“Rama e pranoi se është palë në proces, ashtu siç është palë në aferën e Llogarasë”, thekson Bardhi, duke kërkuar që SPAK dhe GJKKO ta thërrasin kryeministrin si person të përfshirë.

Reagimi i plotë i Bardhi:

7 minuta e 38 sekonda foli Edi Rama, në një përpjekje të sforcuar për të justifikuar avokatinë e paprecedent të të pandehurës Belinda Balluku, që e mban peng me aferat e përbashkëta korruptive.

Por, ndërkohë që shqiptarët prisnin sot t’iu thoshte se në cilin opinion të Komisionit të Venecias apo vendim të Gjykatës së Strasburgut thuhej se ministri nuk mund të pezullohej nga detyra, sic shpalli dje nga podcasti “Flasim me vete”, ai u hodh me akuza dhe sharje ndaj opozitës që cmontoi gënjeshtrat e tij këmbëshkurtra me “Venecia” dhe “Strasburg”, që në fakt thoshin ekzaktësisht të kundërtën e asaj që kishte deklaruar me krenarinë e njeriut shkollëpak, leximhic dhe i marrë peng.

Risia e të folurës vetmevete ishte se Edi Rama pranoi se ai është palë në procesin gjyqësor të Belinda Ballukut, njësoj sic është palë në aferën korruptive të Tunelit të Llogarasë. E në këtë kuptim, Edi Rama ka të drejtë që prokurori i SPAK dhe gjyqtari i GJKKO duhet ta thërrasin herës tjetër si palë në korrupsion krah për krah me të pandehurën Belinda Balluku./ Zoom.al

Postime të lidhura