Aplikacion
Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish ankimimin që ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin e GJKKO-së për të pezulluar nga detyra ministren Belinda Balluku, një masë e kërkuar nga SPAK.
Rama theksoi se kërkesa është bërë prej tij në cilësinë e kreut të qeverisë dhe jo në emër personal. Sipas tij, çështja lidhet me mbrojtjen e balancës mes pushteteve dhe shmangien e ndërhyrjes së autoriteteve të drejtësisë në kompetencat e ekzekutivit.
“E dini kush e ka ankimuar në GJK pezullimin e ministres nga një prokuror dhe gjykatës? E kam ankimuar unë si kryeministër jo si Rama, dhe jo për ministër ose kryeministër, por për parimin e mosndërhyrjes së një pushtetit tjetër të pavarur në pushtetin e pavarur ekzekutiv”, deklaroi Rama.
Ai shtoi se është palë në proces dhe se qëndrimi i tij nuk përbën presion ndaj gjykatës./ Zoom.al
Pjesë nga fjala e Ramës:
Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flas për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen, a e dini se kush e ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër dhe jo për individ një ministër që në këtë rast është edhe zv.kryeministër, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur, e mos marrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidenti nga një prokuror e gjykatës.
Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, të drejtën ekskluzive të parlamenti për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie.
Pavarësisht nga unë, na ne, nga ata që sot jemi dhe nesër s’jemi. Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjykatës, do legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivin, do krijonte precedent të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional do ndodhet diçka që është e panjohur në Europë.
Duhet të jesh krejt i verbuar nga urrejtja për ta kthyer dhe këtë konflikt kompetencash mes ekzekutivit dhe gjyqësor në një konflikt politik siç bëjnë për çdo gjë të mbyturit e kënetës. Hidhen përpjetë mbi llumin e tyre për të kapur nga dyert e prokurorisë ushqimin për opozitarizmin, në këtë rast nuk e tregojnë dot, një rast në Europë dhe botë po të duan, që u pezullonka anëtari i qeverisë me vendim gjykate. Nuk e gjejnë dot se nuk ka dhe nuk kanë se si dhe ku e nxjerrin. Pezullimi i një ministri me iniciativën e një prokurori dhe një gjyqtari është rrëmbim i kompetencës së kryeministrit.
De jure quhet pezullim, por defacto është një shkarkim që kryeministri duhet ta formalizojë meqë e mendoi prokurori dh e vendosi gjykatësi me detyrim përcaktim. Të pezullosh një ministër nuk do të thotë të pezullosh një funksionar publik, por do të thotë të asgjësoj pa afat një autoritet me fuqi ekzekutive vendimmarrëse. Nëse ministri pezullohet, zv.ministri nuk e ushtron dot autoritetin ekskluziv që kushtetuta ia jep vetëm ministrit për të përfaqësuar sektorin edhe në këshillin e ministrave dhe për ti propozuar qeverisë vendime thuaje të përjavshme për sektorin.