Aplikacion
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sërish lidhur me pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku, duke e cilësuar vendimin si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe duke vënë në dyshim deklaratat e Kryeministrit Edi Rama.
Në një postim të publikuar në rrjetet sociale, Berisha përmend ministren Diella, e cila ka mohuar ekzistencën e një raporti të Komisionit të Venecias mbi pezullimin e ministrave. Sipas Berishës, kjo krijon një kontradiktë mes deklaratave të Ramës dhe Diellës.
Në podcastin e tij, Edi Rama kërkoi që Gjykata Kushtetuese të japë një orientim të qartë për këtë praktikë, duke pohuar se çështja përbën “një rrugë të pashkelur” për standardet demokratike.
Rama iu referua opinionit të Komisionit të Venecias dhe qëndrimeve të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke theksuar se, sipas tij, gjykatat nuk kanë kompetencë të pezullojnë ministra, pasi kjo konsiderohet ndërhyrje në punën e qeverisë dhe krijon hapësirë për presione politike.
Reagimi i Sali Berishës:
Ministrja Diella: Rama është hajdut dhe mashtrues publik
Të dashur miq,
Edi Rama sot, në avokatinë e tij të turpshme të vjedhjeve të tij me Lubi Ballukun në tunelin e Llogarasë dhe në një presion të hapur ndaj Gjykatës Kushtetuese, ju tha shqiptarëve se Komisioni i Venecias është shprehur kundër pezullimit të ministrave nga detyra.
Kurse Diella thotë se nuk ka asnjë raport të Komisionit të Venecias për pezullime ministrash – konkret, as në tërësi – por ka raporte vetëm për të zgjedhur vendor.
Pyetja ime është: kush gënjen?
Diella apo Rama?
Apo kujt t’i besojmë: Diellës që është e paanshme, apo Ramës të zhytur gjer në vesh në aferën e pistë të tunelit të Llogarasë?/ Zoom.al