zoom

Aktualitet

Rama bën avokatin e Ballukut: 36 akte presin firmën e saj, vendimi i Kushtetueses po cenon interesin publik

Rama bën avokatin e Ballukut: 36 akte presin firmën e saj, vendimi i Kushtetueses po cenon interesin publik

Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Belinda Ballukut, zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, pas marrjes së saj në hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Rama argumenton se pezullimi i Ballukut po ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e ministrisë dhe po bllokon shumë vendime dhe akte të rëndësishme.

Ai përmend se disa marrëveshje, si ajo për fluturimet transoqeanike midis Shqipërisë dhe Kanadasë, nuk mund të finalizohen pa firmën e ministrit.

Kryeministri thekson se aktualisht janë të pezulluara gjithsej 36 akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përfshirë 18 për rindërtimin, duke shtuar se çdo ditë që vazhdon pezullimi, shtohet lista e punëve të bllokuara dhe vonohen projektet që ndikojnë në interesin publik.

Reagimi i plotë i Ramës:

Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe  pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik:

Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e  fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve.

Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nëshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi ne fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit.

Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara.

Postime të lidhura