Aplikacion
Kryeministri Edi Rama shmangu interpelancën me opozitën këtë të enjte në Parlament për rastin e Belinda Ballukut, ndërsa përgjigjet i dha në rrjetet sociale, i pashqetësuar nga pyetjet.
Opozita e akuzon Ramën se është bërë avokati mbrojtës i Ballukut, duke kërkuar në Gjykatën Kushtetuese heqjen e pezullimit nga detyra të saj.
Por Rama shpjegoi për të disatën herë se vendimi i GJKKO-së për ta pezulluar Ballukun nga detyra është i paprecedentë dhe rrezikon të cenojë balancën e pushteteve.
Ai u përgjigj edhe pse nuk e shkarkon nga detyra Belinda Ballukun. Sipas tij, nëse ai do ta shkarkonte menjëherë, do të hapej rruga që në të ardhmen çdo ministër të hiqet vetëm me masa sigurie, pa vendim politik dhe pa përfundim gjyqësor.
Rama paralajmëroi se ky precedent do t’i jepte gjykatave dhe prokurorëve kompetenca që, sipas tij, nuk u takojnë, duke “përçmuar votën dhe rolin e Kuvendit”. Ai shtoi se pezullimi i Ballukut ka shkaktuar bllokime të shumta në qeverisje, nga vendimet e Këshillit të Ministrave deri te projektet infrastrukturore, pasi ministri ka autoritet ekskluziv për firmosjen e shumë procedurave.
Kryeministri theksoi se për këtë arsye iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, me synimin që të shmanget një model i rrezikshëm për çdo qeveri në të ardhmen.
“Heqja e ministrit nuk do e zgjidhte këtë problem, por do krijonte problem për të nesërmen, jo për mua, por për çdo qeveri. Miu i zhbalancimit të pushteteve që do kalonte në mustaqe me idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa dorëheqje, pa vendim të kryeministrit, por mjafton një masë sigurie, do kthehej në ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzte Kuvendin, do përqeshte votën popullore. Ja pse kam shkuar në Kushtetuese dhe ja pse kjo betejë për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri nuk ka asnjë lidhje me emrin e vetë ministrit”, tha Rama.
Belinda Balluku është pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së më 20 nëntor dhe është nën hetim për procedura tenderimi, përfshirë tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Madhe.
Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese do të shprehet për rastin në datën 12 dhjetor. Qeveria ka bërë ankimim në Kushtetuese duke kërkuar interpretim nëse gjyqësori mund të ndërhyjë në punën e ekzekutivit duke pezulluar ministra./ Zoom.al