zoom

In Zoom

Kreu i OTP Bank, dobësi për autokratët? Nga fotot me Vladimir Putin, te ndeshjet e luksit me Orban

Sándor Csányi, kreu i OTP Bank, u fut më së fundi në listën e njerëzve më të pasur të Forbes. Me një pasuri prej 1.3 miliardë dollarësh ai ia kaloi edhe ish -drejtuesit të OTP, Lőrinc Mészáros, shoku të shkollës së kryeministrit hungarez Victor Orban. Csányi është njeriu më i pasur i Hungarisë.

Vitin e shkuar, kur e gjithë ekonomia botërore ishte në krizë si pasojë e pandemisë covid 19, ai e shtoi pasurinë me 100 milionë dollarë.

Ardhja e tij në krye të OTP Bank, pasi bleu disa aksione në vitin 2013, e ndryshoi qasjen e bankës. Ajo po e shtrin aktivitetin gjithnjë e më shumë në vendet e Europës Lindore. Në Shqipëri OTP Bank bleu aksionet e Societe Generale dhe të Alpha Bank. Ajo po tenton të futet edhe në Uzbekistan dhe së fundi në Kinë.

Në Rumani, Banka Qëndrore nuk e lejoi të futej në tregun vendas, për arsye që nuk janë bërë ende publike.

OTP Bank ka qenë në qendër të vëmendjes për shkak se pronari i saj kryesor Megdet Rahimkulov është akuzuar si një ndër oligarkët pranë presidentit rus, Vladimir Putin dhe për shkak se Kievi i kërkoi asaj dhe disa bankave të tjera të tërhiqeshin nga tregu rus.

Edhe Sándor Csányi është njeri i afërt i Putin. Siç ka raportuar më parë Zoom.al, mediat ndërkombëtare shkruajnë se ai e ndihmoi Vladimir Putin të zgjidhej president i Federatës së Xhudos, ndërsa vetë është zëvendëspresident. Ai nuk e mohoi pak kohë më parë njohjen me Putin, ndërsa fotot e tyre u përhapën me shpejtësi në internet.

Kreu i OTP Bank, mik i Putin. E ndihmoi të zgjidhet në krye të Federatës Botërore të Xhudos

Veç miqësisë më autokratit Putin, Sándor Csányi njihet edhe si mik i autokratit europian, Victor Orban.

Ata s’e kanë mohuar miqësinë. Së fundi u panë së bashku në stadium, në ndeshjen Itali – Hungari, të luajtur në Cesena. Ishin krah për krah me njëri – tjetrin.

Mesa duket, ai ka një dobësi ndaj autokratëve. Ose i sheh si mundësi për të shtuar fitimet e tij.

Gazeta prestigjoze New York Times shkruante pak kohë më parë se si pasojë e miqësisë me kryeministrin hungarez, Csányi ka përfituar miliona euro fonde të bujqësisë nga Bashkimi Europian. /Zoom.al