zoom

Aktualitet

Pronari i OTP Bank, oligarku i Vladimir Putin, i përfshirë në skandalin e ri në Hungari

Politika në Hungari është përfshirë nga një skandal i ri. Disa përgjime kanë ngritur dyshimet se ish -kryeministri i të majtës liberale, Gordon Bajnai, ka qenë i përfshirë në “pazare” për të shitur një prej ndërtesave simbol të Budapestit, atë të Bashkisë.

Bajnai i ka mohuar akuzat. Ndërsa kryetari i Bashkisë, Gergely Karacsony dyshon gjithçka është një sajesë e shërbimeve sekrete ruse dhe bashkëpunimit të tyre me familjen e një prej njerësve më të pasur të Hungarisë, një oligark i afërm i Vladimir Putin dhe mik i partisë Fidesz, të kryeministrit populist Victor Orban.

Në një regjistrim të ri biznesmeni Gyula Gansperger, partneri i ish-kryeministrit Bajnai, flet për metodat korruptimi të udhëheqjes së qytetit në lidhje me pronat publike.

Kryetari i Bashkisë, Karacsony, i mohoi akuzat se ishte përfshirë në bisedime për shitjen e ndërtesës së Bashkisë dhe bëri një padi në Prokurorinë e Budapestit.

Ai dyshon për përfshirjen shërbimeve sekrete ruse, të lidhura me oligarkët rusë që jetojnë në Budapest dhe drejtojnë biznese të rëndësishme.

 

“Kryebashkiaku e quajti edhe një herë rastin një fushatë shpifjeje të orkestruar nga Fidesz dhe tha se oligarkët pro-Putin (që nënkupton familjen Rahimkulov) mund të jenë përfshirë gjithashtu”, shkruan gazeta “Hungarytoday”. 

Por kush është oligarku pro -Putin, i përfolur disa herë në mediat hungareze dhe ato shqiptare?

Eshtë Megdet Rahimkulov. Zoom.al solli pak ditë më parë një portret të tij, për faktin se ai është pronar i OTP Bank, bankës kryesore në Hungari që është prezent edhe në Shqipëri, pasi në vitin 2018 bleu aksionet e Societe General dhe në 2021 edhe Alpha Bank.

Megdet Rahimkulov mbërriti në Hungari pas ndryshimit të regjimit. Shumë shpejt ai u bë personi më i pasur në Hungari. Përfshirja e familjes së tij ishte përfolur edhe më parë si një nga blerësit e mundshëm të ndërtesës së bashkisë.

Kryebashkiaku pretendon se filli rus është risia e çështjes, duke argumentuar se “e gjithë historia i ngjan fort një teknike klasike, të planifikuar të fushatës dezinformuese ruse që synon të ngatërrojë njerëzit” dhe se ai e ka “të vështirë të imagjinojë se një bisedë në zyrat e Rahimkulov, familjes më të pasur në Hungari, e cila po zbaton një projekt të madh investimi me mbështetjen e partisë Fidesz dhe ka shumë lidhje me shtetin rus, mund të ishte regjistruar fshehurazi pa dijeninë ose kundër vullnetit të shërbimit sekret rus dhe të regjimit të Putinit.”

Karacsony përfundon duke shpjeguar se përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet e botës së lirë në interes të aktorëve të korruptuar politikë lokalë, janë bërë një tipar i rregullt kohët e fundit.

Pavarësisht se konsiderohet si një prej oligarkëve më pranë presidentit Putin, qeveria hungareze nuk ka marrë ndonjë masë ndaj pronarti të OTP Bank për sekuestrimin e asteve.

Hungaria e pati të vështirë t’i bashkohej perëndimit në fillim të vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe nuk pranoi për disa ditë të bëhej vend tranzit për armët që furnizonin ushtrinë e Ukrainës.

Sanskionet e mundshme kundër tij do të preknin OTP Bank në të gjitha vendet e rajonit ku ajo operon, përfshirë edhe Shqipërinë. /Zoom.al