zoom

Ekonomi

Oligarku rus Megdet Rahimkulov mban peng blerjen Alpha Bank nga OTP Bank?

Më 6 dhjetor të vitit 2021 OTP Bank njoftoi zyrtarisht se po blen edhe Alpha Bank në Shqipëri, pasi në 2018 kishte blerë Societe Generale. Çmimi ishte 55 milionë euro.

Në faqen e OTP thuhej se transaksioni pritej të mbylljej në tremujorin e dytë të vitit 2022, pra brenda qershorit.

  • “Pas mbylljes financiare të transaksionit, i cili, në varësi të miratimit nga rregullatori, pritet të bëhet në tremujorin e dytë të vitit 2022, për sa i përket totalit të aktiveve, pjesa e tregut të OTP Group në Shqipëri pritet të kalojë 11%, ndërsa portofoli i kredive ndaj klientit do të rritet me një herë e gjysmë, bazuar në këtë të fundit, operacioni shqiptar i grupit bankar mund të bëhet lojtari i dytë më i madh i tregut.”

Tremujori i dytë është mbyllur dhe transaksioni nuk është kryer. Zoom.al iu drejtua zyrtarisht OTP Bank në Shqipëri, për të kuptuar se përse nuk ishte mbyllur transaksioni financiar, sipas pritshmërive.

OTP Bank pranoi se transaksioni nuk është mbyllur, por tha se ishte brenda afateve kohore.

“Për momentin, OTP Bank është në procesin e marrjes prej rregullatoreve së të gjithë aprovimeve, të nevojshme për përmbylljen financiare të transaksionit. Procesi që është ende në vazhdimësi, është krejtësisht brenda normativave dhe rregullave përkatëse për procese të tilla, si dhe brenda pritshmërive kohore. Procesi që synon bashkimin e dy bankave është aktualisht ende në fazën përgatitore dhe do të fillojë vetëm pasi të jetë mbyllur transaksioni financia”, sqaroi OTP Bank me bazë në Hungari.

Duke parë se OPT Bank ka blerë më parë Societe Generale, procedura e blerjes së Alpha Bank do të duhej të ishte mbyllur sipas pritshmërive të OTP.

Por përse po vonojnë për më shumë se 6 muaj rregullatorët që të miratojnë blerjen e Alpha Bank nga OTP Bank?

Një burim konfidencial i tha Zoom.al se rregullatorët shqiptarë, (si BSH), po shohin me imtësi çdo veprim, burim të parave, statusin e bankës, statusin e aksionerëve dhe gjithçka tjetër që nevojitet për një proces të tillë.

Procedurat po ndiqen në mënyrë më strikte nga rregullatorët pas luftës në Ukrainë, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë shtuar sanksionet ndaj oligarkëve rusë që kanë biznese në SHBA, Europë dhe vende të tjera të botës.

Siç ka raportuar më parë Zoom.al, njëri nga aksionerët kryesorë të OTP Bank është një oligark rus, i lidhur me Kremlinin. OTP Bank, e pyetur nga Zoom.al nëse vonesa kishte të bënte me roli apo statusin e njërit prej aksionerevë të saj, dha këtë përgjigje.

“Siç shpjeguam në përgjigjen e pyetjes së parë, nuk ka asnjë vonesë në ecurinë e procesit të nisur për përmbylljen e transaksionit. OTP Bank ka një strukturë aksionere ndërkombëtare transparente, të qendrueshme dhe të diversifikuar, në të cilën asnjë prej aksionerëve nuk zotëron më tepër se 10% të aksioneve.

Në këtë link https://www.otpbank.hu/portal/en/IR/Shares/OënershipStructure mund të gjeni informacion lidhur me aksionerët e Bankës OTP.”

Në faqen e servirur nga OPT Bank, e para në listën e aksionerëve është MOL, Kompania Hungareze e Naftës dhe Gazit. Aksioner i MOL është Megdet Rahimkulov, një oligark rus i lidhur me Vladimir Putin, i cili, sipas mediave hungareze, është në listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

MOL zotëron 8.57% të aksioneve. Por Megdet Rahimkulov ka gjithashtu edhe aksione të tjerë në OTP Bank përmes Kafijat, një kompani në zotërim të familjes së tij. Kjo kompani zotëron në total 10.55% të aksioneve të OTP Bank.

Shareholders with over/around 5% stake as at 31 March 2022

NameNationality1Activity2Number of sharesOënershipVoting rights3
Hungarian Oil and Gas Company (MOL)DC24,000,0008.57%8.59%
KAFIJAT GroupDC19,689,4097.03%7.05%
KAFIJAT Ltd.DC9,867,9183.52%3.53%
MGTR Alliance Ltd.DC9,821,4913.51%3.52%

Kafijat, Megdet Rahimkulov

 Mediat investigative hungareze shkruajnë se Megdet Rahimkulov është një aksioner kryesor në Grupin Hungarez OTP – pronar i DSK Bank në Bullgari.

Prania e tij në OTP Bank duket se detyroi Bankën Kombëtare të Rumanisë që të ndalojë shitjen e Banca Româneasca te OTP. Mediat shkruajtën se ndalimi u bë për shkak të transaksioneve të diskutueshme, ndërsa autoritetet në Rumani nuk dhanë asnjëherë shpjegime.

Por në Bullgari dhe në Moldavi rregullatorët e injoruan faktin që aksioner kryesor i OTP ishte në listën e sanskioneve të SHBA dhe lejuan blerjen e Expressnbank dhe Mobiasbanca.

Megdet Rahimkulov është prej 30 janarit të vitit 2018 në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së së bashku me dhjetëra oligarkë të afërt të Vladimir Putin.

Revista prestigjioze, Newsweek i kushtoi oligarkut artikullin ”Punët e Putinit, Nëna Rusi, Bija Hungaria dhe Nipërit MOL dhe OTP”. Newsweek România citoi një e-mail të George Friedman, themeluesit të platformës amerikane të inteligjencës gjeopolitike dhe botuesi i Stratfor, të rrjedhur në Ëikileaks, në të cilin thuhej se “sipas një burimi diplomatik, shumica e aksioneve të MOL janë në duart ruse”.

Revista Forbes ka këtë historik për oligarkun rus Megdet Rahimkulov.

 “Pasuria e tij është 1.2 miliardë dollarë. Në mesin e viteve 1990, Rahimkulov u bë shef ekzekutiv dhe 10% pronar i një sipërmarrjeje të përbashkët midis gjigantit të gazit Gazprom dhe Kompanisë Hungareze të Naftës dhe Gazit, MOL.

Ai drejtoi gjithashtu AEB, një bankë hungareze që Gazprom e bleu për të përpunuar pagesat nga klientët e saj vendas; më vonë e bleu nga Gazprom.

Në vitin 2007 ai shiti bankën dhe i përdori të ardhurat për të blerë aksione në MOL dhe OTP, banka më e madhe e Hungarisë. Ai gjithashtu zotëron aksione në Gazprom dhe VTB.” /Zoom.al

Megdet Rahimkulov, Forbes

Ky është artikull ekskluziv i Zoom.al dhe gëzon të drejtën e autorësisë në bazë të Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Ai mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Zoom.al”,shoqëruar me linkun e artikullit origjinal. Për mosrespektimin e këtij detyrimi, çdo shkelës do të ngarkohet me përgjegjësi sipas Ligjit Nr/ 35/2016.