zoom

Aktualitet

”Kisha frikë”- Përplasi për vdekje dy fëmijë dhe u largua nga vendngjarja, ç’deklaroi shoferi

”Kisha frikë”- Përplasi për vdekje dy fëmijë dhe u largua nga vendngjarja, ç’deklaroi shoferi

Zbardhen detaje të reja nga aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur një ditë më parë në qytetin e Durrësit, ku dy fëmijë humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.

Ngjarja ndodhi më 3 maj 2026, rreth orës 14:10, në rrugën “Ohri”, në lagjen nr. 15. Sipas hetimeve, drejtuesi i automjetit, 57 vjeçari Nikoll Radaçi, i cili është arrestuar në flagrancë, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi mjetin tip “Mercedes-Benz ML”, duke dalë nga rruga dhe përplasur tre të mitur të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç.

Si pasojë e aksidentit tragjik, kanë humbur jetën dy prej fëmijëve, përkatësisht 12 dhe 10 vjeç, ndërsa 8-vjeçari, pasi mori ndihmën e parë në Spitalin Rajonal Durrës, është dërguar për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Pas përplasjes, drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke pretenduar se kishte frikë nga reagimi i qytetarëve, por është konstatuar dhe shoqëruar më pas nga shërbimet e Policisë.

Testet e kryera kanë konfirmuar se 57-vjeçari drejtonte mjetin në gjendje të dehur, me nivel alkooli 0.73 mg/l në testin e parë dhe 0.70 mg/l në testin e dytë. Ndërkohë, i është marrë edhe kampion gjaku për ekzaminime të mëtejshme.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shkak i aksidentit ka qenë humbja e kontrollit të mjetit si pasojë e drejtimit në gjendje të dehur. Po ashtu, rezulton se ai ka qenë i ndëshkuar më parë për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë parakalime të gabuara dhe tejkalim të shpejtësisë.

Postime të lidhura