zoom

Aktualitet

Braçe kërkon ndryshime urgjente në Kodin Penal pas tragjedisë në Durrës

Braçe kërkon ndryshime urgjente në Kodin Penal pas tragjedisë në Durrës

Pas ngjarjes tragjike në Durrës ku humbën jetën dy fëmijë të mitur, deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme në Kodin Penal, duke e cilësuar rastin si një “vrasje me dashje” dhe jo thjesht aksident rrugor.

Në fjalën e mbajtur në Kuvend, Braçe u shpreh se ligji aktual nuk e trajton me ashpërsinë e duhur drejtimin e mjetit në gjendje të dehur kur shkaktohen pasoja fatale. Sipas tij, masat aktuale shpesh reduktohen në heqje pikësh patente apo gjoba, gjë që nuk reflekton rëndësinë e krimeve të tilla.

Ai theksoi se në praktikë, personat që kapen duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur mund të ndalohen përkohësisht, por shpesh lirohen shpejt dhe vazhdojnë procesin në gjendje të lirë, ndërsa ndëshkimet administrative mbeten minimale.

Braçe kërkoi që Kodi Penal të rishikohet dhe që rastet e tilla të trajtohen si vepra të rënda penale, duke përfshirë mundësinë e kualifikimit si vrasje me dashje në rrethana të rënda, sidomos kur drejtimi i mjetit në gjendje të dehur sjell humbje jete.

“Fjalët që duhet të thuhen këtu duhet të kenë logjikë. Nëse ka një qeveri që në dy kohë të ndryshme ka dhënë naftë pa akcizë dhe pa lekë fare, është qeveria Rama dhe Nano. Unë u çova për tjetër hall, dy familje përcollën sot pa shpirtin e tyre. Kush ka fëmijë e di mirë. Një i tretë ka një traumë të rëndë emocionale dhe mendore. E gjitha pasojë e një krimi të rëndë në një rrugë lagjeje. Vrasje me dashje për mua dhe asnjëherë aksident apo shkelje të rregullave.

Është një ngjarje e përsëritur. Dje kam publikuar një video ashtu siç ishte, për të refuzuar normalizimin e një krimi të tillë. Kodi penal e normalizon një krim të tillë. Një i pirë, jo thjesht i dehur, për më keq pastaj që nget një makinë në rrugë, ndonjëherë shoqërohet dhe dërgohet në paraburgim.

Pastaj lirohet pas 2 ditësh dhe procedohet në gjendje të lirë. Morali është që ti mund të pish, të dehesh, të ngasësh makinën, të ndalohesh, të shkosh në paraburgim, por në krahun tjetër të hiqen vetëm pikë patente. Dhe në rast se ke para, paguan dyfishin e gjobës dhe nuk të pezullohet patenta.

E bën një herë, dy herë, mund të shkosh deri në 18 muaj ndalim patente. I hiqen vetëm 10 pikë në patentë. Ndërkohë ai po hetohet për shkelje rregullash, largim nga vendi i aksidentit. Është profili i një të forti që dehet dhe vret njerëz. Kjo nuk është shkelje e rregullave, është vrasje. Nëse ne duam të bëjmë diçka, është që të reformulojmë Kodin Penal, aktet si vrasje me dashje”, tha Braçe./ Zoom.al

Postime të lidhura