Aplikacion
8-vjeçari, cili mbeti i plagosur në aksidentin tragjik të ndodhur një ditë më parë në Durrës, mësohet se është tashmë jashtë rrezikut për jetën.
I mituri, i cili ndodhet tek Trauma, pritet të transferohet në pavijon, ku do të vijojë trajtimin mjekësor.
Ngjarja e rëndë u regjistrua më 3 maj, ku si pasojë e përplasjes humbën jetën dy të mitur, vëllai dhe kushëriri i 8-vjeçarit, të moshave 12 dhe 10 vjeç.
Për aksidentin është vënë në pranga 57-vjeçari Nikoll Radaçi, i cili dyshohet se, duke drejtuar një mjet tip “Mercedes-Benz ML” në gjendje të dehur, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke goditur tre fëmijët.
Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, por është ndaluar më pas nga shërbimet e Policisë. Testet e alkoolit kanë rezultuar pozitive, duke konfirmuar se ai ka qenë në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.
Hetimet paraprake tregojnë se pikërisht drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit dyshohet të ketë çuar në humbjen e kontrollit dhe shkaktimin e tragjedisë. Gjithashtu, rezulton se 57-vjeçari ka pasur edhe më herët shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Ndaj tij rëndojnë disa akuza, përfshirë shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e dy personave, drejtimin në gjendje të dehur dhe largimin nga vendi i aksidentit.