zoom

Aktualitet

Humbën jetën 2 fëmijë, pas aksidentit tragjik pezullohet zinxhiri drejtues i Policisë së Durrësit

Humbën jetën 2 fëmijë, pas aksidentit tragjik pezullohet zinxhiri drejtues i Policisë së Durrësit

Aksidenti i rëndë rrugor i ndodhur një ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë dhe mbeti i plagosur një tjetër, ka sjellë masa në radhët e Policisë së Shtetit.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka vendosur pezullimin nga detyra të tre drejtuesve vendorë.

Të pezulluarit janë:

  • Afrim Tafa, Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës
  • Zija Sulaj, Zëvendësdrejtor për Rendin dhe Sigurinë Publike
  • Kreshnik Skëndo, Shef i Sektorit të Policisë Rrugore

Ndërkohë, pas ngjarjes, është urdhëruar ngritja e një grupi ekspertësh nga Policia Rrugore, të cilët kanë shkuar në vendngjarje për të analizuar në detaje shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Paralelisht, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor për të verifikuar nëse ka përgjegjësi nga ana e punonjësve të Policisë lidhur me këtë rast.

Aksidenti tragjik ndodhi më 3 maj, ku një automjet që drejtohej nga 57-vjeçari Nikoll Radaci doli nga rruga dhe përplasi tre fëmijë të mitur. Si pasojë humbën jetën dy prej tyre, ndërsa një 8-vjeçar mbeti i plagosur dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve. Për ngjarjen është arrestuar drejtuesi i mjetit, i cili dyshohet se ishte në gjendje të dehur në momentin e aksidentit.

Postime të lidhura