Aplikacion
Mbledhja me dyer të mbyllura e zhvilluar një ditë më parë nga kryeministri Edi Rama me deputetët socialistë dhe anëtarët e kabinetit qeveritar është shoqëruar me debate dhe momente tensioni.
Tensionet kulmuan pas ndërhyrjes së deputetit Erion Braçe, kur debati mes tij dhe kreut të qeverisë u kthye në një përplasje të ashpër verbale. Situata detyroi kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, të ndërpresë për disa minuta mbledhjen.
Pas raportimeve se ishte larguar pas debatit me Ramën, Braçe reagoi publikisht duke mohuar këtë version. Në një postim, ai tha se nuk ishte nxjerrë nga mbledhja, por ishte larguar me dëshirën e tij, pasi kishte shprehur gjithçka kishte për të thënë.
“Kjo është njësoj si teknologjia e vezës, asaj vezës që qëllohen deputetë pa asnjë shkak, pa u ditur as emrin një pjese, por është në të njëjtën linjë, synon vetëm linçimin, ndaj është ‘vrasje me pagesë’ në politikë. Dje para se të nisja të flisja, u kërkova kolegëve të mos nxirrnin përjashta asgjë nga ato që unë do flisja aty. Ja që ndodhi kjo që lexova, madje edhe e transformuar. Tani meqë dje u mor një angazhim për të bërë shembull njërin ndër ata që nxjerrin fjalët e shtëpisë për të vrarë politikisht atë tjetrin atje matanë, unë mezi pres që të mbahet fjala. Pra të bëhet shembulli. Mua dje nuk më ka nxjerrë askush jashtë, jam ulur sepse nuk kam pasur çfarë të them më, e pasi kam thënë aty, e në mbledhjen pararendëse, gjithçka që thonë socialistët prej një viti. Kam dalë jashtë vetë sepse nuk kam pasur më çfarë të dëgjoja. Kjo është e vërteta”, u shpreh Braçe.
Ç’ndodhi gjatë mbledhjes
Deputeti Erion Braçe kundershtoi menyren se si u miratuan një ditë më parë në Kuvend anëtarët e Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Sipas burimeve nga mbledhja, Braçe ka kundërshtuar faktin që deputetëve u janë kërkuar vota për kandidatë për të cilët, sipas tij, nuk kishte pasur diskutime paraprake dhe nuk kishin informacion të mjaftueshëm.
“Votuam njerëz që nuk i njohim. Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur”, mësohet të ketë deklaruar Braçe gjatë diskutimit.
Kjo ndërhyrje ka sjellë reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Rama, i cili ka mbrojtur procesin e përzgjedhjes së kandidatëve.
“Ata janë verdikti i qeverisë. Ç’të bëj që na e kërkon BE-ja? Se nuk e sillnim fare në Kuvend”, mësohet të ketë thënë Rama.
Por Braçe ka vijuar replikën, duke mos u tërhequr nga qëndrimi i tij. Sipas burimeve, debati është përshkallëzuar dhe kryeministri ka reaguar ashpër ndaj deputetit socialist.
“Qepe gojën. Mos fol mbi mua. Ik pirdhu”, mësohet të ketë qenë një prej replikave të Ramës gjatë përplasjes.
Pas debatit, kryeministri ka dhënë edhe një mesazh paralajmërues ndaj deputetëve të grupit socialist.
“Do bëj ndonjërin shembull. Se deri tani kam menduar që nuk ju punojnë mirë neuronet”, mësohet të ketë deklaruar Rama.
Përplasja mes Ramës dhe Braçes ka qenë momenti më i tensionuar i mbledhjes, ndërsa pjesa tjetër e deputetëve kanë zgjedhur të mos ndërhyjnë në debat.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen ka qenë heshtja e Elisa Spiropalit gjatë takimit. Pas përplasjes së mëparshme me kryeministrin në një mbledhje të grupit parlamentar, ku Rama e kritikoi për mungesat në votime dhe i kërkoi të respektonte disiplinën e grupit, këtë herë Spiropali ka preferuar të mos marrë fjalën.
Ndërsa në javët e fundit ajo është shfaqur aktive në debatet publike brenda Partisë Socialiste, në mbledhjen e zhvilluar me dyer të mbyllura ka zgjedhur të mos përfshihet në diskutime.
Përplasja me Braçen ka nxjerrë në pah tensionet e brendshme në grupin socialist, pavarësisht përpjekjeve për të shfaqur unitet. Shprehja “Do bëj ndonjërin shembull” është interpretuar si një sinjal i qartë se kryeministri kërkon më shumë disiplinë dhe bindje nga deputetët e mazhorancës.