Aplikacion
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka sekuestruar armën e shërbimit të efektivit të Policisë së Durrësit, Leonard Xhamollari, i cili dyshohet se ishte së bashku me Denis Tafilin, anëtar i grupit kriminal të Visit të Pojës, gjatë konfliktit me armë të ndodhur më 24 korrik në Shkallnur të Durrësit.
Xhamollari, me detyrë ndihmës specialist në sallën e komandimit të Policisë së Durrësit, është vënë nën verifikim nga AMP, e cila po administron edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse efektivi ka favorizuar Denis Tafilin, i shpallur në kërkim nga SPAK prej më shumë se një viti.
Tafili është një nga personat e kërkuar në kuadër të dosjes “Ura”, që lidhet me organizatën kriminale të drejtuar nga Elvis Doçi, i njohur me nofkën “Visi i Pojës”.
Sipas Policisë, konflikti ka nisur fillimisht mes efektivit Leonard Xhamollari dhe shtetasit Edison Gjuzi. Më pas në vendngjarje kanë mbërritur Denis Tafili dhe një 27-vjeçar me inicialet G.M.
Hetimet paraprake tregojnë se Tafili ka goditur Edison Gjuzin me qytën e pistoletës dhe më pas është larguar me automjet së bashku me G.M., i cili gjithashtu është shpallur në kërkim.
Pas ngjarjes, Policia ka ndaluar efektivin Leonard Xhamollari, ndërsa AMP ka nisur hetimet për rolin e tij. Në vendin e konfliktit është gjetur një gëzhojë arme, por ende nuk është përcaktuar se kush ka qëlluar. Pavarësisht postblloqeve të ngritura nga Policia, Tafili dhe shoqëruesi i tij kanë arritur të largohen.
Denis Tafili vijon të jetë në kërkim në kuadër të operacionit “Ura”, të zhvilluar në maj të vitit 2025 pas informacioneve të autoriteteve italiane. Operacioni goditi një grup të strukturuar kriminal me 24 anëtarë, të dyshuar për trafik ndërkombëtar kokaine, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe pastrim parash. Gjatë hetimeve u sekuestruan mbi 1.3 ton kokainë, 4 milionë euro para cash dhe pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro. Sipas hetimeve, fitimet nga aktiviteti kriminal transportoheshin kryesisht me autobusët e linjës Itali–Shqipëri.