zoom

Aktualitet

Pjesë e një organizate kriminale, arrestohet 26-vjeçari në kërkim ndërkombëtar nga Italia

Pjesë e një organizate kriminale, arrestohet 26-vjeçari në kërkim ndërkombëtar nga Italia

Një 26-vjeçar është arrestuar në Kavajë me qëllim ekstradimi drejt Italisë, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.

I riu me iniciale S.B., banues në Kavajë, është lokalizuar dhe arrestuar nga autoritetet shqiptare, pas kërkesës së Interpol Romës.

Ndaj 26-vjeçarit, Gjykata e Breshias në Itali ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

Sipas autoriteteve italiane, 26-vjeçari dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë dhe disa shtetas italianë, e cila merrej me trafikimin e lëndëve narkotike dhe shpërndarjen e tyre në disa zona të Italisë.

Për këtë vepër penale, sipas legjislacionit italian, parashikohet dënim deri në 24 vite burgim.

Autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijojnë procedurat për ekstradimin e 26-vjeçarit drejt Italisë.