Aplikacion
Mesazhet midis këngëtarit D4vd dhe Celeste Rivas Hernandez, 14-vjeçares për të cilën ai akuzohet se e ka vrarë, zbulojnë se ajo kishte qenë shtatzënë dhe kishte bërë një abort para se të ndërronte jetë.
Mesazhet u shfaqën gjatë një seance dëgjimore për të përcaktuar nëse këngëtari, emri i ligjshëm i të cilit është David Anthony Burke, duhet të dalë në gjyq për vrasjen e adoleshentes, krim i ndodhur vitin e kaluar.
“Po sikur aborti i parë të mos funksionojë?” Celeste i dërgoi një mesazh Burke-ut në qershor 2024, sipas prokurorëve. Ajo ishte 13 vjeçe në atë kohë dhe ai ishte 19.
Prokurorët thonë se Burke e vrau atë pasi ajo e kërcënoi se do të zbulonte se ai kishte abuzuar me një të mitur dhe do t’i shkatërronte karrierën. Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat për vrasjen dhe abuzimin seksual të vajzës.
Në mesazhe, Burke i kërkoi falje adoleshentes që “kishte këtë situatë”, sipas mesazheve të shfaqura në gjykatën e Los Angeles të premten.
Ajo u përgjigj, “Asnjëri prej nesh nuk është i aftë ta shikojë dhe kujdeset për foshnjën. Është për të mirën, apo jo?”
Burke pyeti, “gjithashtu nëna ime gjithmonë më thoshte ta bëja këtë pyetje nëse do të isha ndonjëherë në këtë situatë… është i imi, apo jo?”
Celeste u përgjigj “sigurisht që është i yti David”, sipas dëshmisë së një detektivi.
Gjykata dëgjoi se në një mesazh tjetër drejtuar adoleshentes, të dërguar në qershor 2024, Burke shkroi: “Le ta lëmë këtë abort të jetë i fundit derisa të kemi atë të vërtetën…”
Prokurorët paraqitën të dhëna nga iCloud të rikuperuara nga iPhone i të pandehurit, duke treguar mesazhe mes tij dhe Celeste që datojnë që nga 8 gushti 2022, kur ajo ishte 11 vjeçe dhe ai 17.
Pajisja që i përkiste Burke kishte gjithashtu foto të adoleshentes gjatë abuzimit të dyshuar seksual, thanë të premten prokurori dhe detektivi i Policisë së Los Angeles, Corey Farell.
Nëna e viktimës, Mercedes Rivas Hernandez, u prek dhe u largua nga gjykata me bashkëshortin e saj, ndërsa detajet e disa prej fotografive u përshkruan gjatë procedurës.
Telefoni i Burke tregoi gjithashtu bisedat që të dy kishin pasur rreth zhvendosjes së tyre së bashku, të cilat i kishin quajtur “Operacioni i Mrekullueshëm”.
Dyshja u “nda” në nëntor 2024, por vazhduan të mbanin kontakt. Prokurorët pretendojnë se ata u grindën natën para vdekjes së saj, për shkak të marrëdhënieve të Burke me gra të tjera.