Aplikacion
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar pas incidentit të ndodhur përpara ambienteve të Kuvendit, ku deputeti Erion Braçe pati një përplasje verbale me gazetarin e News24, Marsel Rupi, gjatë një interviste para kamerave.
Në deklaratën zyrtare, Unioni e cilëson të papranueshme mënyrën e komunikimit të deputetit, duke theksuar se gjuha e përdorur, toni nervoz dhe gjestet e tij ndaj gazetarit bien ndesh me standardet e komunikimit publik dhe me etikën që duhet të karakterizojë një përfaqësues të zgjedhur.
Sipas Unionit, sjellje të tilla dëmtojnë marrëdhënien mes institucioneve dhe medias, ndërsa krijojnë një precedent negativ për respektimin e lirisë së informimit.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i bën thirrje deputetit Erion Braçe të reflektojë mbi sjelljen e tij dhe të konsiderojë një ndjesë publike ndaj gazetarit Marsel Rupi, i cili po ushtronte detyrën e tij profesionale duke kërkuar përgjigje përmes pyetjeve të drejtpërdrejta.
Reagimi i plotë:
Dialogu i papërshtatshëm i deputetit Erion Braçe, dhe komunikimi para kamerës së News 24, ndërsa i drejtohej mikrofoni prej reporterit Marsel Rupi, gjatë ditës së martë dstë 14.07.2026, përbën rastin se si një përfaqësues parlamentar nuk duhet të shkelë etikën dhe të respektojë intervistuesin e një medie informative.
Gjuha dhe sidomos nervozizmi komunikues i deputetit Breçe, ndërsa gjendej para kamerës dhe mikrofonit me logo, si dhe gjesti shtytës ndaj intervistuesit, janë rast i shkeljes së çdo kodi për komunikim publik dhe sidomos prej një të zgjedhuri politik.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e dënon këtë sjellje dhe kërkon nga ish gazetari Erion Braçe, tashmë deputet me përvojë në tri dekada, të reflektojë ndaj kësi shfaqjesh dhe komunikimesh që marrin hapësirë e një incidenti dhe krijojnë kontestim nga opinioni i shëndoshë publik.
Kësi reagimesh me gjuhë nervoze dhe stigmatizuese para kamerës së gazetarit, marrin vlerën e një agresioni verbal që vjen prej një përfaqësuesi politik. Tek e fundit, ai pasazh i publikuar tashmë në shumë media dhe nline, merr funksionin e një ilustrimi të marrëdhënies komunikuese të një parlamentari me gazetarët, para institucionit më të lartë të vendit që është Kuvendi i Shqipërisë.
Është në nderin e deputetit të reagojë qoftë edhe me një ndjesë, në adresë të gazetarit që këmbënguli përmes pyetjeve të veta, të merrte një përgjigje.
Korrektesa komunikuese dhe sidomos përgjigjet e një përfaqësuesi me mandat parlamentar janë detyrim etik, ligjor dhe kushtetues. Për deputetin në fjalë që ka qenë edhe pjestar i Komisionit parlamentar për edukim dhe Informim, kësi episodesh dhe skenash janë të pahijshme dhe ekspozojnë imazhin real për mosrespektim të lirisë së medias në këtë vend./ Zoom.al