Aplikacion
Personi i shoqëruar mbrëmjen e së martës, 9 dhjetor, në kuadër të hetimeve për atentatin e Rinasit, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe oficeri i AMP-së Muçi Shalijani, është liruar pasi u mor në pyetje për disa orë.
Sipas burimeve, bëhet fjalë për një 35-vjeçar me inicialet B. Xh., banor i fshatit Halil, në zonën ku u gjet e djegur automjeti “Toyota” i përdorur nga autorët. Ai jeton shumë pranë vendit ku u dogj makina, por në deklarimet e tij para hetuesve ka pohuar se në momentin e ngjarjes nuk ndodhej në banesë, duke mohuar çdo lidhje me atentatin apo dijeni mbi lëvizjet e personave të përfshirë.
Shoqërimi i tij u krye për shkak se më herët rezulton i dënuar për vjedhje me dhunë.
Një muaj pas atentatit, policia po vijon marrjen në pyetje të personave që mund të kenë dijeni, por deri tani nuk ka autorë apo porositës të identifikuar. Atentati ndodhi mesditën e 11 nëntorit, kur Gilmando Dani dhe Muçi Shalijani, sapo kishin mbërritur nga Barcelona, u zunë pritë në rrethrrotullimin e Rinasit. Dani humbi jetën menjëherë, ndërsa Shalijani ndërroi jetë pak ditë më pas në spital.
Ndërkohë, ekspertiza e armëve të gjetura në makinën e djegur ka përfunduar, dhe sipas burimeve ato nuk rezultojnë të jenë përdorur në ngjarje të tjera kriminale.
Pak ditë pas atentatit, në fshatin Zall u zbulua një banesë me arsenal armësh në pronësi të Ylli Zallës, i shpallur në kërkim. Fillimisht u dyshua se autorët mund t’i kishin siguruar armët aty, por ekspertiza ka përjashtuar këtë pistë./Zoom.al