Aplikacion
Hetimet për atentatin e rëndë të ndodhur më 11 nëntor 2025 në Rinas, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe agjenti i AMP-së Mustafa alias Muçi Sheljani, po avancojnë me shoqërimin dhe marrjen në pyetje të disa personave që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se Policia Kriminale e Tiranës po fokusohet te gjurmimi i një automjeti tip “Toyota” me targa greke, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e atentatit. Në kuadër të këtyre veprimeve, janë sekuestruar dhe analizuar dhjetëra pamje filmike nga kamera sigurie në zonën e Rinasit dhe Fushë-Krujës.
Sipas gazetarit Elton Qyno, një nga personat e shoqëruar dhe marrë në pyetje është Betim …, i cili më pas është lënë i lirë. Ai është identifikuar në një prej pamjeve filmike, ku shihet duke iu afruar një automjeti tip “Toyota”, shumë i ngjashëm me mjetin e përdorur në vrasjen e dyfishtë.
Pamjet rezultojnë të jenë regjistruar disa ditë para atentatit, çka ka forcuar dyshimet e hetuesve se makina ka qenë aktive në zonë përpara ngjarjes kriminale. Në video, Betimi shihet teksa u dorëzon personave që ndodheshin në mjet disa paketa cigare, veprim që ka shtyrë policinë ta shoqërojë për sqarime.
Gjatë dëshmisë së dhënë në polici, Betimi fillimisht ka deklaruar se nuk e mbante mend ngjarjen. Pasi është përballur me pamjet filmike, ai ka pranuar se ka dhënë cigare personave brenda automjetit, por ka pohuar se nuk ishte në gjendje të identifikonte apo të kujtonte fytyrat e tyre.
Po ashtu, ai nuk ka arritur të njohë asnjë person, edhe kur policia i ka paraqitur fotografi të individëve të dyshuar si të përfshirë në atentat. Në mungesë të provave shtesë që ta lidhin drejtpërdrejt me ngjarjen, grupi hetimor ka vendosur ta lërë të lirë, ndërsa hetimet vijojnë me persona të tjerë që mund të kenë informacion për çështjen./ Zoom.al
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit