zoom

Lajme

Orë tensionesh në qeveri, Belinda Balluku nën presion nga Rama për Aeroportin e Vlorës

Orë tensionesh në qeveri, Belinda Balluku nën presion nga Rama për Aeroportin e Vlorës

Tensionet në qeveri për shkak të krizës në Aeroportin e Vlorës janë rritur ndjeshëm dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, po përballet me presion të drejtpërdrejtë nga Kryeministri për sqarime.

Burime të afërta me kabinetin qeveritar konfirmuan për Zoom.al se kryeministri Edi Rama është i irrituar nga mënyra si është menaxhuar projekti strategjik që duhej të ishte përfunduar brenda vitit 2024, ndërkohë që aeroporti vazhdon të jetë i bllokuar për shkak të konfliktit mes dy biznesmenëve nga Kosova, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, të cilët kanë fituar kontratën koncesionare.

Aeroporti i Vlorës u shpall “projekti i dekadës” nga kryeministri Rama, për të cilin, disa burime thonë se ka qenë përcaktues në dhënien e koncesionit zotit Pacolli. 

Por sot, pas katër vitesh premtime, ajo që duhet të ishte një kryevepër ka rrezik të shndërrohet në një bombë.Konflikti mes aksionerëve po nxjerrin në pah probleme të tjera. 

Një burim brenda Ministrisë së Infrastrukturës i tha Zoom.al se “Balluku ka qenë plotësisht në dijeni të përçarjes mes ortakëve dhe ka zgjedhur të mos ndërhyjë për ta zgjidhur. Madje është ajo që ka firmosur kalimin e aksioneve nga kompania turke YDA Group, që ishte kryesorja në marrjen e koncesionit, tek Pacolli ”.

Brenda Partisë Socialiste po flitet se Balluku mund të bëhet “kurbani” i radhës brenda mazhorancës. 

Burime nga PS pohojnë se Rama ka kërkuar një raport të detajuar për zbatimin e kontratës së aeroportit, ndërsa në lojë mund të futet edhe SPAK, i cili po verifikon disa elementë të financimit të projektit përmes kompanive offshore.

Ndërkohë, Belinda Balluku nuk ka bërë asnjë reagim publik për krizën që ka bllokuar aeroportin. Ajo u shfaq sot duke inspektuar punimet në autostradën Tiranë – Qafë Kashar, një aktivitet në dukje i sforcuar. 

Heshtja e saj po interpretohet brenda PS-së si shenjë dobësie, ndërsa disa deputetë e konsiderojnë si një momentin më të vështirë të saj në qeveri.

Nëse kriza me Aeroportin e Vlorës zgjerohet dhe hetimet e SPAK përfshijnë emra brenda administratës së ministrisë, shkarkimi i Ballukut mund të jetë çështje ditësh. /Zoom.al 

Postime të lidhura