zoom

Aktualitet

Aeroporti i Vlorës i bllokuar, dy biznesmenë nga Kosova mbajnë peng një vepër strategjike

Aeroporti i Vlorës i bllokuar, dy biznesmenë nga Kosova mbajnë peng një vepër strategjike

Në jugu të vendit, aeroporti i Vlorës, që u premtua të çelej këtë sezon, me fluturimet e para që do të nisin në qershor, nuk u hap. 

Më 8 maj 2025, u realizua fluturimi i parë certifikues në këtë aeroport. Pak ditë më vonë, Brenda muajit maj, në faqen zyrtare të kompanisë “Vlora International Airport” u njoftua se vepra është drejt përfundimit dhe se fluturimet civile do të nisnin në verë. 

Vera kaloi dhe mbi pistën e këtij aeroporti fluturuan vetëm zogjtë shtegtarë, të cilëve ky aeroport mund t’u kushtojë shtrenjtë. 

Pritej të hapej në nëntor, po as kjo nuk do të ndodhë. Zoom.al ka mësuar se vepra mund të jetë operuese vetëm në pranverën e vitit 2026, në muajin mars, rreth 1 vit me vonesë. 

Vënia në punë e këtij aeroporti, që pritet t’i japë një zhvillim të madh turizmit në zonat e jugut, nuk është bllokuar nga procese teknike, porn ga një konflikt mes dy biznesmenëve nga Kosova, Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, të cilët janë aksionerë të kompanisë që fitoi koncesionin për ndërtimin dhe operimin e veprës. 

Konsorciumi koncesionar i aeroportit, sipas dokumenteve, ka patur në nisje tre aksionerë, “Mabco Construction SA”, pronë e Pacollit, kompaninë turke “YDA Group” dhe kompaninë “2A Group Sh.p.k” të shqiptarit nga Kosova, Valon Ademi. Më pas “YDA Grup” u tërhoq dhe aksionet e tij u ndanë ndër dy palët e tjera. Me blerjen e aksioneve të turqve për vetëm 4,400 euro, Pacolli i coi aksionet e tij në 98%, ndërsa Ademi mbeti në kuotat e 2%. 

Por Valon Admi pretendon se ekziston një kontratë noteriale e vitit 2022, sipas të cilës, ai zotëron 47% të aksioneve dhe Pacolli 53%. Por kjo kontratë nuk është regjistuar në QKB dhe në dokumentet zyrtare figuron se Mabco zotëron 98% dhe 2A vetëm 2% të aksioneve.   

Ademi e akuzoi Pacollin për lojë të rrezikshme dhe mashtrim.  Valon Lluka, administrator i parë i projektit dhe bashkëpunëtor i Pacollit, u shkarkua befas.  Më pas edhe një administrator i ri, Mentor Hajdaraj, dha dorëheqjen pas vetëm një muaji në detyrë.  

Zoom.al mëson se Pacolli i ka ofruar Ademit që aksionet që i takojnë në “Vlora International Airport” t’ia japë në një kompani që ai ka në një nga vendet e Afrikës. Por Ademi ka refuzuar kategorikisht. 

Për këtë arsye çështja përfundoi në gjykatë dhe më 10 tetor 2024, gjykata e Tiranës vendosi pezullimin e të drejtës së votës për Mabco dhe çdo lëvizje tjetër Brenda kompanisë “Vlora International Airport” deri sa të regjistrohej kontrata e transfertës së 47% aksionve tek 2A Group. 

Në prokurorinë e Tiranës është regjistruar një kallëzim penal kundër Behgjet Pacollit, Emin Pacollit dhe Nelson Çelës për akuzat “mashtrim me pasoja të rënda”, “falsifikim dokumentesh” e “mashtrim kompjuterik”.

Tani që çështja i ka kaluar drejtësisë, konflikti po rrezikon që investimi strategjik prej 104 milionë eurosh të mbetet i bllokuar. 

Por ajo që e vë seriozisht në rrezik këtë vepër është diçka tjetër që ka dalë në dritë ditët e fundit. 
Në media të ndryshme është raportuar se Aeroporti i Vlorës është lënë si kolateral nga Pacolli për një fond investimesh fantazmë, më bazë në Luksemburg, por mbi të cilin ka shumë pak informacione. 

Sipas disa të dhënave, Aeroporti është hipotekuar si garanci financiare mes kompanisë së Pacollit “Mabco Constructions S.A” dhe kompanisë “Delphos Securities SARL”, për një kredi prej 100 milionë eurosh të marrë nga Pacolli më 26 mars të këtij viti. 

Huaja, sipas kontratës, do të shërbejë për kryerjen e punimeve të Aeroportit, ndërsa parashikon që pas hapjes, Aeroporti i Vlorës të bëhet bashkëhuamarrës i kësaj kredie. Nëse Pacolli nuk arrin të shlyejë kredinë me interes fillestar 7.6 %, vepra do t’i kalojë si pronë këtij fondi offshore. 

Por kush fshihet pas këtij fondi, që merret në titrullarizim, që do të thotë se ky entitet nuk është një bankë tradicionale që pranon depozita dhe jep kredi në mënyrë rutinë, por një strukturë që përdoret për të krijuar instrumenta financiare dhe menaxhuar riskun për investitorët.

Dokumentat tregojnë se kompania ka një ndarje në strukturë, të quajtur “Bernina”. Ndarjet brenda shoqërive të tilla zakonisht krijojnë vështirësi për sa i përket transparencës dhe përgjegjësisë, pasi secila strukturë ka asete dhe detyrime të ndara ligjërisht.

Bernina përfaqësohet nga Bart Turtelboom, banues në Zvicër, aty ku Pacolli ka selinë kryesore të Mabco. Ai rezulton se ka qenë i përfshirë në “Klubin e Parisit” me Rusinë, në lidhje me një borxh që ky klub i kishte Rusisë. Ka dyshime se pas Bernina qëndrojnë biznesmenë nga Rusia dhe Kazakistani, çka do ta komplikonte edhe gjeopolitikisht çështjen e Aeroportit të Vlorës. 

Sipas dokumentave të publikuara në disa media shqiptare, kontrata nuk është një hua bankare, pasi “Delphos” nuk është bankë dhe përmbajtja e saj nuk ka synim thjesht financimin e projektit, por marrjen e kontrollit ekonomik dhe operacional të Aeroportit nëpërmjet instrumentave të borxhit. 

Pas kësaj marrëveshjeje, roli i autoriteteve shqiptare në këtë vepër, mbetet i paqartë. Kompania offshore ka vendosur si kusht për dhënien e huasë 100 milionë euroesh, dorëzimin e dokumentave ligjore, licensave, marrëveshjeve të koncesionit, garancive, dorëzimin e pasqyrave financiare dhe miratimin nga autoritetet shqiptare. 

Deri tani nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti përgjegjës për këtë koncesion, nuk ka asnjë reagim.

Në mesin e këtyre zhvillimeve, Ministria e drejtuar nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku do të duhet të sqarojë se;

– Cili është statusi zyrtar përfundimtar i kontratës së koncesionit të këtij Aeroporti? 

– A ka ndryshime të aksionev të regjistruara në QKB që reflektojnë marrëveshjen 53% dhe 47% mes palëve?

 – A ka marrë hua shoqëria koncesionare duke përdorur si kolateral vetë aeroportin ? Nëse po, cila është shuma dhe kush janë huadhënësit?

– Përse është shtyrë hapja e Aeroportit dhe a ka një afat përfundimtar për hapjen e tij? 

Zhvillimet në Aeroportin e Vlorës po dëshmojnë edhe njëherë se mënyra e dhënies së koncesioneve të veprave strategjike vetëm sipas “dëshirës dhe vendimit” të kryeministrit, krijon problematika me kosto të mëdha për vendin. 

Edhe koncesione të tjera, që sipas opozitës dhe disa mediave investigative Rama ua ka shpërndarë “klientëve të qeverisë dhe miqve të tij” kanë shfaqur problematika të ndryshme, pasi kontratat, sipas ekspertëve favorizojnë kompanitë dhe jo shtetin. /Zoom.al

Postime të lidhura