zoom

Aktualitet

Përplasje për aeroportin e Vlorës, gjykata pezullon Pacollin nga aksionet. Reagon biznesmeni

Përplasje për aeroportin e Vlorës, gjykata pezullon Pacollin nga aksionet. Reagon biznesmeni

Përplasja mes dy ortakëve të aeroportit të Vlorës ka marrë përmasa ligjore dhe hetimore, pasi Gjykata e Tiranës ka vendosur të pezullojë përkohësisht të drejtën e votës së biznesmenit Behgjet Pacolli dhe kompanisë së tij “Mabco Constructions SA”, në pritje të regjistrimit të kontratës së shitjes së aksioneve tek “2A Group”.

Në qendër të konfliktit ndodhet ndarja e aksioneve të koncesionit të aeroportit, ku sipas dokumenteve zyrtare, kompania “Mabco” zotëron shumicën, ndërsa “2A Group” e biznesmenit Valon Ademi pretendon se i takojnë 47% të tyre, në bazë të një kontrate noteriale të nënshkruar pas largimit të grupit turk YDA.

Sipas kësaj marrëveshjeje, dy kompanitë duhej të ndanin aksionet në raportin 53% me 47%, por marrëveshja nuk është regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke çuar në përplasje të ashpra dhe shkarkime të njëpasnjëshme të administratorëve të aeroportit.

Në vendimin e fundit, gjykata ka vendosur masë sigurie mbi Shoqërinë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke bllokuar çdo vendim të planifikuar për t’u marrë në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve më 20 tetor, si dhe duke pezulluar të drejtën e votës së ortakut të shumicës deri në verifikimin e dokumenteve të pronësisë.

Ndërkohë, Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim penal për tre persona: biznesmenin Behgjet Pacolli, të vëllanë e tij Emin Pacolli, dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë “Mabco Construction S.A.” në Zvicër. Të tre janë nën hetim për veprat penale “mashtrim me pasoja të rënda”, “mashtrim kompjuterik” dhe “falsifikim dokumentesh”.

Sipas burimeve hetimore, një grup prokurorësh është ngritur posaçërisht për këtë çështje, ndërsa janë sekuestruar një sërë dokumentesh që lidhen me investimet dhe lëvizjet e aksioneve në kompaninë që menaxhon ndërtimin e aeroportit të Vlorës.

Pas këtyre zhvillimeve, ka reaguar edhe vetë Behgjet Pacolli, i cili i cilëson akuzat dhe vendimin e gjykatës si “komplot të koordinuar” kundër tij.

“Çfarë është ky komplot në Shqipëri kundër emrit tim, pikërisht tani që aeroporti është drejt përfundimit? Nuk bëj asnjë lëshim për atë që më takon, por nuk pranoj asgjë që nuk është e imja. Kam investuar qindra miliona euro nga fondet e mia personale, pa asnjë ndihmë publike,” – shkruan Pacolli në reagimin e tij publik.

Reagimi i plotë:

ÇFARË ËSHTË KY KOMPLOT I KOORDINUAR NË SHQIPËRI KUNDËR EMRIT TIM,
Pikërisht tani që ndërtimit të aeroportit po i vjen fundi?!
Çfarë janë këto ofendime?Kush po e orkestron këtë fushatë shpifjesh dhe pse?Unë, përveçse po përpiqem të mbroj pronën time,
nuk kam dhënë asnjë intervistë dhe nuk kam iniciuar asnjë proces gjyqësor që të shërbejë si shkak për përfolje.
Duket qartë se dikush tjetër po merret me këto procese, ndërkohë që unë deri më sot nuk jam ftuar nga askush për të dhënë as dëshminë, as sqarimet e mia. 😡

Nuk jam më gati për lëshime për atë që është e imja,
por nuk do të pranoj kurrë asgjë që nuk më takon.

Kam dhënë kontributin tim të ndershëm, me qindra miliona euro investime, që vijnë 100% nga asetet e mia personale, të dokumentuara dhe të garantuara me fondet dhe kolateralet e mia private.
Asnjë qindarkë publike — çdo gjë ka ardhur nga puna, besimi dhe sakrifica ime.

Faktet, dokumentet dhe Zoti janë dëshmitarë të qëllimeve të mia të mira.
Dua të lë në Vlorë një trashigemi
duke e ditur mirë që ky
investim me vështirësi do të rikthehet.

Por një gjë është e sigurt:
Nuk mund të duroj më këtë padrejtësi, ku përbaltet emri, dinjiteti dhe investimi im!

Këto sulme të organizuara do t’i përballoj me të vërtetën dhe me faktet në dorë.

Postime të lidhura