Aplikacion
Nëse dikush mendonte se sulmi i parë i Kryetares së Kuvendit dhe ish -Ministres së Jashtme, Elisa Spiropali ndaj modelit të bindjes deri në të qënurit ushtar, ishte një rastësi, reagimi i saj i fundit për krizën e Parlamentit konfirmon një luftë të hapur frontale me kryeministrin Edi Rama dhe modelin që ai ka ndërtuar.
Për herë të parë në 13 vite rrugëtim të përbashkët, Spiropali nuk po përdor më gjuhën e lëvdatave për liderin, por po i bën radiografinë dështimit të sistemit që ai drejton.
Duke e cilësuar gjendjen në Kuvend si një “atrofizim të funksionit” dhe një “krizë të Republikës Parlamentare”, Spiropali ka hyrë në një përplasje dhëmb për dhëmb me Ramën.
Ndërsa Rama krenohet me numrat e kartonëve dhe kontrollin absolut mbi institucionet, ish -Kryeparlamentarja paralajmëron se ky kontroll po prodhon një formë pa përmbajtje dhe një dështim të rrezikshëm për të prodhuar politikë.
Spiropali po thotë troç atë që opozita e kërkon prej kohësh, se Parlamenti ka pushuar së kontrolluari qeverinë dhe se pushteti i Ramës kontrollon gjithçka.
Një ditë më parë, Taulant Balla, të cilën po ashtu Spiropali e ka kritikuar publikisht, u përfshi në debate verbale me deputetët e opozitës, pasi fyeu sërish gratë deputete, ndërsa Flamur Noka më pas e kërcënoi me fjalët “do të të rrjep si kec”.
DEKLARATA E SPIROPALIT
Dje në Parlament nuk pamë vetëm tension. Pamë një mekanizëm që po dështon të prodhojë politikë.
Kjo që po ndodh në Parlament nuk është diçka e panjohur për politikën. Konflikti ka qenë gjithmonë pjesë e saj. Por sot problemi nuk është konflikti në vetvete. Problemi është se konflikti banal po zëvendëson funksionin.
Parlamenti nuk po arrin më të ushtrojë rolin e tij përfaqësues dhe kontrollues. Në vend që të jetë hapësira ku përfaqësohen interesat e shoqërisë dhe ku kontrollohet qeverisja dhe institucionet, ai po kthehet në një arenë ku energjia po shpërdorohet pa prodhuar drejtim.
Kur funksioni atrofizohet, pasoja e parë është bjerrja e besimit. Dhe kur bie besimi, nuk dobësohet vetëm Parlamenti, por vetë ideja e Republikës Parlamentare.
Sepse një Republikë Parlamentare nuk mbahet vetëm me procedura. Mbahet me funksion. Me debat që prodhon kuptim. Me kontroll që prodhon përgjegjësi.
Nëse kjo vazhdon, rreziku nuk është thjesht një Parlament i dobët. Rreziku është që Republika Parlamentare të mbetet vetëm formë, dhe jo përmbajtje.
Europa kërkon nga ne atë që duhet të kërkojmë nga vetja: institucione që funksionojnë, jo vetëm që ekzistojnë. /Zoom.al
Festa e çmendur për titullin botëror të Spanjës përfundon në tragjedi, humb jetën 13-vjeçari