zoom

Lajme

“Çfarë ke për të thënë, thuaje këtu!” Përplasje mes Ramës dhe Spiropalit në mbledhjen e mbyllur

“Çfarë ke për të thënë, thuaje këtu!” Përplasje mes Ramës dhe Spiropalit në mbledhjen e mbyllur

Në një atmosferë të rënduar nga kritikat e forta për performancën e deputetëve dhe ministrave, një shkëmbim me tone të larta mes Kryeministrit Edi Rama dhe Elisa Spiropalit ka thyer qetësinë e mbledhjes së përbashkët të Grupit Parlamentar dhe Qeverisë.

Nga Zoom.al

Tiranë – Mbledhja e fundit e socialistëve ka nxjerrë në pah atë që po zien prej kohësh pas kuintave, që një pjesë e tyre nuk janë më dakord me Edi Ramën.

Përtej axhendës zyrtare dhe porosive për bazën, një përplasje e drejtpërdrejtë verbale mes liderit të mazhorancës dhe njërës prej figurave më besnike e më mbrojtëse të tij në publik, Elisa Spiropalit, tregoi se gjërat nuk janë siç Rama kërkon t’i shesë.

Sipas dëshmive nga brenda mbledhjes, gjithçka ka nisur kur Rama, i cili po mbante një fjalim kritik mbi angazhimin e strukturave, ka ndaluar për t’iu drejtuar Spiropalit me një ton ironik. “Çfarë ke që qesh?” – i është drejtuar ai, duke lënë të kuptohet se e qeshura e saj ishte jashtë kontekstit serioz të diskutimit.

Por, ndryshe nga ç’ndodh rëndom në këto mbledhje ku heshtja pason vërejtjet e liderit, reagimi i Spiropalit ka qenë i menjëhershëm dhe pa dorashka. “Çfarë ke për të thënë, thuaje këtu!”, mësohet t’i jetë përgjigjur ajo, duke kërkuar ballafaqim të hapur.

Ky moment ka shkaktuar jo pak habi mes të pranishmëve. Për një kohë të gjatë, Spiropali është konsideruar si zëri më i fuqishëm i Ramës në Parlament dhe në media, duke u pozicionuar gjithmonë në vijën e parë të mbrojtjes së aksioneve qeveritare.

Por shkarkimi nga posti i Ministres së Jashtme duket se ia ka mprehur shikimin Spiropalit, e cila te Rama nuk shquan më Skënderbeun e dikurshëm.

Por vaç arsyeve personale që ka Elisa, përplasja tregon se figurave kryesore të partisë duket se u ka sosur durimi me stilin e shkopit dhe karotës që përdor Rama në mbledhje të mbyllura.

Tensioni Rama-Spiropali mund të jetë vetëm maja e ajsbergut e një klime më të rënduar, ku me skandalet e korrupsionit që kanë shpërthyer me Ballukun dhe AKSHI-n dhe me marrjen në mbrojtje të tyre nga Rama, nervozizmi po fillon të dalë jashtë kontrollit.

Mbetet për t’u parë nëse ky incident do të pasohet nga zhvillime të tjera apo nëse ka qenë vetëm një furtunë në gotë.

Por një gjë është e sigurt, që brenda mureve të selisë rozë, jo çdo gjë po shkon si më parë. ©️ Zoom.al – Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Postime të lidhura