Aplikacion
Deputeti socialist Erion Braçe ka shpallur ambicien e tij për të kandiduar për kryetar të Bashkisë së Tiranës, në kundërshtim me vendimin zyrtar të Partisë Socialiste, e cila ka përzgjedhur Ogerta Manastirliu si kandidate për zgjedhjet vendore të vitit 2027.
Deklarata e Braçes u bë gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS në Njësinë 5 në Tiranë, ku ishin të pranishëm edhe Taulant Balla dhe Fatmir Xhafaj. Mbledhja u shoqërua me debate të forta, ku socialistët ngritën shqetësime që lidhen me punësimet dhe vlerësimin e kontributeve brenda partisë.
Në një klimë të tensionuar, Braçe theksoi se situata aktuale kërkon ndryshim organizimi dhe paralajmëroi se do të kërkojë mbështetjen e socialistëve në të gjithë Tiranën. Ai deklaroi se, nëse nuk do të jetë kandidat zyrtar i PS-së, do të garojë si kandidat i pavarur për drejtimin e Bashkisë së kryeqytetit.
“Siç e kuptuat dhe vetë kjo situatë nuk mund të jetë më e tillë. Nuk gjejnë zgjidhje problemet që kanë socialistët e ka nevojë për një organizim ndryshe. Ndaj në këtë situatë unë do dal të kërkoj mbështetjen e socialistëve jo vetëm të njësisë 5, por në gjithë Tiranën dhe nëse nuk do të jem kandidat zyrtar I PS, do të shpall kandidaturën si kandidat I pavarur për kryetar bashkie në Tiranë”, deklaroi socialisti.
Kjo lëvizje vjen në një moment kur kryetari i PS-së, Edi Rama, ka nisur takime në terren me strukturat socialiste, duke konfirmuar më herët se Manastirliu është zgjedhja zyrtare për Tiranën.
Zhvillimet në Njësinë 5 pasojnë edhe përplasjet e fundit brenda Partisë Socialiste, përfshirë debatet në Grupin Parlamentar, ku janë evidentuar qëndrime kundërshtuese ndaj vendimmarrjes së drejtuesve të partisë.