Aplikacion
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka shprehur pakënaqësinë e tij në Kuvend për mungesën e ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, duke theksuar se prej më shumë se dy muajsh po kërkon një interpelancë me të.
Braçe kritikoi drejtpërdrejt mungesën e ministrit Salla, duke theksuar se arsyet e dhëna për mosprezencën nuk janë bindëse. Ai përmendi se fillimisht i ishte komunikuar se ministri ndodhej në Bruksel, ndërsa së fundmi në Kosovë.
Sipas Braçes, çështja për të cilën ai kërkon interpelancën lidhet me sigurinë ushqimore dhe kërkon një përgjigje të drejtpërdrejtë nga ministri në Kuvend. Ai nënvizoi se është e papranueshme që për një çështje kaq të rëndësishme të nevojiten javë të tëra për të marrë informacion dhe për të zhvilluar një debat institucional.
“Gjithkush që merr përsipër të flasë në këtë sallë duhet të mendojë dhe për sigurinë ekonomike. Ekonomia nuk është një gjë që zhvillohet atje tej, por ka një element të rëndësishëm në të, besimin. Paniku që përhapet në të tilla raste mund të godasë ekonominë dhe mbi ekonominë, qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Unë do kërkoja që të ketë përgjegjshmëri në këtë sallë. Këto nuk janë çështje që diskutohen këtu, por në komisionet parlamentare. Edhe atje me vëmendjen e jashtëzakonshme për të mos shkaktuar panik në ekonominë e qytetarëve të Shqipërisë.
Kam që në mes të muajit shkurt që kërkoj një interpelancë me ministrin e Bujqësisë. Po shkojmë në javën e dytë të muajit prill. Pranova dy javë më parë që ministri është në Bruksel. Sot më thonë që ministri është në Kosovë. Nuk mendoj se kjo është arsyeja.
Çështja që e thirra është për ushqimin. Ministri i Bujqësisë duhet të jetë këtu dhe t’i përgjigjet Kuvendit. Axhendën time nuk e bën dot një ministër. Do kërkoja me ngulm që kjo gjëja mos të ndodhë më. Më janë dashur 6 javë të merrja informacionin, tani më duhen 6 javë për të folur me ministrin. Nuk ka kuptim!”, tha Braçe./ Zoom.al