zoom

Ekonomi

Braçe kritika për tregun e naftës: Çmimet vendosen me mesazh

Braçe kritika për tregun e naftës: Çmimet vendosen me mesazh

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar lidhur me rritjen e fundit të çmimit të karburanteve në Shqipëri, duke ngritur dyshime për mënyrën se si funksionon tregu i naftës në vend. Sipas tij, ndryshimi i çmimeve nuk vjen si rezultat i luhatjeve të tregut ndërkombëtar, por përmes një mekanizmi të koordinuar që ngjan me një kartel.

Braçe deklaroi se çmimi i naftës është ndryshuar ditën e djeshme rreth orës 16:00 dhe, sipas informacioneve që ai ka marrë, vendimi është komunikuar tek përgjegjësit e pikave të karburantit përmes një mesazhi në telefon. Ai tha se ky mesazh është shpërndarë në të gjitha pikat e furnizimit, duke përcaktuar çmimin e ri të shitjes.

Sipas deputetit, çmimet më të larta regjistrohen në pikat e karburantit që i përkasin markave të njohura, ku një litër naftë aktualisht shitet nga 198 deri në 202 lekë. Braçe theksoi se prej rreth katër vitesh kompanitë e mëdha të tregut e kanë kthyer në objektiv që çmimi i naftës të mos bjerë nën 200 lekë për litër.

“Unë vazhdoj të insistoj te tregu i karburanteve, me thënë të drejtën, dhe jo thjesht tek veprimi juaj, por tek modeli i tregut që ata kanë ndërtuar prej katër vitesh, po flas prej katër vitesh. Po, ato janë çmimet dhe janë vendosur me një mesazh. Çmimi i naftës ka ndryshuar dje në orën 16:00 sipas një SMS-je të mbërritur në çdo përgjegjës pike karburanti.

Çmimi është më i lartë tek ato që janë të brenduara, pra çmimi më i lartë është ai 198-202 lekë, që këta e kanë sfidë personale. Kanë katër vjet që e kanë sfidë këtë 202 lekëshin; kur e patën para katër vitesh e kanë sfidë mos ta ulin nën 200 lekë dhe ta çojnë gjithmonë mbi 200 lekë.

E kanë ndryshuar me një SMS dhe unë po përpiqem shumë që ato SMS t’i mbledh dhe t’jua dërgoj dhe, mbi të gjitha, nën diktatin e një shoqate që garanton kartelin, që është Shoqata e Hidrokarbureve. Këto SMS nuk i dërgojnë thjesht drejtuesit e kompanive, por këto SMS, veçanërisht tek pikat e bardha, i dërgojnë zyrtarët e Shoqatës së Hidrokarbureve. Pra Shoqata e Hidrokarbureve funksionon si kartel për të garantuar rritjen e çmimeve në këtë rast.

Ju me të drejtë po monitoroni tregun e pakicës, por problemi është atje ku ju thashë, tek tregu i shumicës. Cili është modeli i tregut që zotërinjtë kanë ndërtuar? Këta nuk blejnë më naftë në bursë; këta blejnë nga një broker që e sjell naftën në territor. Është ky brokeri që vjen dhe e derdh naftën në depozitat e këtyre në periudha të ndryshme kohore dhe këta blejnë dhe shesin me çmimin e ditës që dalin nga depozita. Ky model tregu i ka hequr të gjitha avantazhet e blerjeve afatgjata të sasive të naftës, ose ia ka kaluar këtij brokeri, i cili nuk është entitet tatimor shqiptar dhe nuk është i regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili merr këto përfitime të blerjeve në afatgjatë.

Në bursë sot blen naftë ditore, 10-ditore, 30-ditore, 3-mujore dhe 6-mujore. Sot po të futesh në bursë, blen me këto afate dhe këto blerje në tregun shqiptar i bën ky broker. Madje këta kanë shuar fare parimin që duhet të funksionojë një depozitë.

Dollari është përtokë, pra transaksionet kryhen në dollar. Euro është zhvlerësuar, që është element i rëndësishëm tek çmimi, por kjo nuk është reflektuar sepse ky model tregu nuk e lejon këtë gjë.”, tha Braçe./ Zoom.al

Postime të lidhura