zoom

Aktualitet

Braçe kundërshton ministren: Çmimet e karburanteve në Shqipëri përcaktohen nga një kartel

Braçe kundërshton ministren: Çmimet e karburanteve në Shqipëri përcaktohen nga një kartel

Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj, e cila ka mohuar ekzistencën e një karteli në tregun e karburanteve në Shqipëri.

Në një prononcim për mediat, Braçe u shpreh se mënyra se si përcaktohen çmimet e naftës dhe karburanteve në vend tregon qartë se kompanitë operojnë në mënyrë të koordinuar. Sipas tij, shteti bën sikur nuk e kupton këtë fenomen, ndërsa realiteti në treg është i dukshëm.

Braçe argumentoi se kur çmimet rriten ose ulen në të njëjtën orë në të gjithë territorin, kjo nuk mund të konsiderohet rastësi, por një mekanizëm i organizuar mes operatorëve të tregut. Sipas tij, një situatë e tillë ndodh zakonisht në tregje shumë të përqendruara, ku një numër i vogël kompanish kanë ndikim të madh në përcaktimin e çmimeve.

-Ju keni thënë shpesh që në atë treg ka kartel

-Ministria e Ekonomisë thotë nuk është faktuar nuk ka prova

Braçe: Po si s’paska? Në momentin që ndryshon çmimi brenda një dite, brenda në të njëjtën orë, në të gjitha pikat dhe është i njëjti çmim, si qenka? Çfarë sjelle është ky? Sjellja e koordinuar.

Po sjellja e koordinuar kur ndodh? Kur ndodh? Kur tregu është i përqendruar dhe kur tregu është i përqendruar po patjetër. Situatë kartelash është pse e bëjnë kot sikur nuk e kuptojnë.

Në qoftë se i gjithë çmimi i hidrokarbureve, naftës, gazit edhe benzinës në territorin e Republikës së Shqipërisë varka nga një kompani që këta e quajmë broker. Çfarë logjike ka?

Kjo është e disata herë që Erion Braçe hedh akuza për mënyrën si funksionon tregu i naftës në vend sa herë ka luhatje në tregjet ndërkombëtare./ Zoom.al

Postime të lidhura